Edhe në Kosovë ashtu si në të gjithë botën, 8 Marsi që njihet si “Dita e Gruas” do të shënohet me shumë aktivitete.
8 Marsi shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati nëntë dekada.
Kështu do ta shënojnë sot edhe një grup i qytetarëve që në kuadër të kësaj dite do të realizojnë një performancë kundër dhunës në baza gjinore me moto “Mjaft më me arsyetime”. Performanca do të nis në ora 8:00 para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, do vendos lule pranë monumentit “Heroinat” në Prishtinë. Kjo do të bëhet në ora 9:45, ndërsa në orën 10:00, në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës do të shfaqet dokumentari “Mendoj për Ty”. Pas shfaqjes së dokumentarit kryetari i Parlamentit do të mbajë një fjalë rasti, transmeton kp.
Për nder të kësaj dite një aktivitet do të mbahet edhe nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës në bashkëpunim me disa organizata tjera, ku do të organizojnë Klubin e Leximit dhe Diskutimit të Librave Feminist. Ky aktivitet do të zhvillohet në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së, në ora 10:30.
Ndërsa do të organizohet edhe një marsh protestues me moton “MARShojmë S`Festojmë”. Marshi do të nis në sheshin “Zahir Pajaziti” në ora 12:00.
E në anën tjetër është Lëvizja Vetëvendosje e cila në kuadër të kësaj dite organizon tubim lidhur me moszbatimin e qëllimshëm nga ana e Qeverisë së Kosovës të ligjit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Ngjarja e Vetëvendosjes do të organizohet në Hotelin Grand në ora 14:00.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës me disa organizata tjera organizojnë intervenim në hapësirën publike me moto “Gjinorëzimi i qytetit”, duke filluar në ora 14:00 ndërsa në orën 16:00, RGGK bashkë me programin Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore, Artpolis, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Qendra për Barazi dhe Liri – CEL, Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Feminizmi Shqiptar organizojnë aktivitet si Teori, Art, Aktivizëm – Artivizëm, Shfaqje Filmi dhe Diskutim në Fakultetin Filozofik.