Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka dhënë një raport qortues në raport me zgjedhjet në Turqi, duke theksuar pengesën e mediave dhe shqetësimet tjera të sigurisë.
OSBE në raport ka shtuar se zgjedhjet e së dieles në Turqi janë karakterizuar nga ‘padrejtësia’ dhe ‘frika’, transmeton Gazeta Blic.
Në zgjedhjet e djeshme doli fitues partia e Erdoganit, duke shënuar kështu një kthesë dramatike, pasi kjo parti në zgjedhjet e qershorit humbi shumicën e saj parlamentare.
“Përderisa qytetarët turq mund të zgjedhnin mes alternatives politike, këto zgjedhje ishin shumë të polarizuara, si zvogëlimi i shpejtë i mediave dhe kufizimi mbi lirinë e shprehjes, prandaj procesi i zgjedhjeve mbetet shumë shqetësues,” thuhet në deklaratën e Ignacio Sanchez Amor, koordinator i posaçëm dhe udhëheqësi i misionit vëzhgues të OSBE-së.
“Sulmet fizike mbi anëtarët e partisë dhe shqetësimet e sigurisë, veçanërisht në juglindje, kanë imponuar kufizime në fushatë,” shtoi ai.