Gjykata e Apelit në Oslo ka konfirmuar dënimet me burgim për dy vëllezërit kosovarë, shtetas norvegjezë, Visar dhe Valon Avdyli, dhe një person të tretë nën akuzat që ishin angazhuar në mënyra të ndryshe në organizatën terroriste ISIS, raporton KTV.
Dënimet për dy kosovarë, Valon e Visar Avdyli, dhe somalezin Djibril Bashir, të gjithë shtetas norvegjezë, të dënuar për akuza që ishin angazhuar në konflikt të armatosur në grupin terrorist ISIS në Siri, i ka përkrahur në Norvegji Gjykata e Apelit.
Tre burrat ishin dënuar në Gjykatën e Lartë në Oslo në maj 2015, derisa gjatë shqiptimit të vendimit të Gjykatës së Apelit ISIS-it i është referuar si një prej organizatave terroriste më të tmerrshme të epokës së sotme, transmeton Koha.net .
Njëri kosovar, Valon Avdyli, dhe somalezi u dënuan me 4 vjet e 6 muaj burgim, respektivisht 4 vjet e 9 muaj burgim.
Vëllai i dytë, Visar Avdyli, 26-vjeçar, u dënua nën akuza që tentoi të furnizonte vëllanë e tij në Siri. Për këtë ai mori 8 muaj burgim.
Këto dënime ishin të parat që Gjykata e Lartë në Oslo i shqiptoi kundër dikujt për angazhim në luftë në Siri apo përkrahje të organizatës terroriste.
Ky kod i ri penal ishte prezantuar në verën e vitit 2013 derisa mundëson burgimin maksimal të të pandehurve deri në 6 vjet nëse akuzohen për krijim, bashkim, rekrutim ose ofrojnë përkrahje financiare apo të ndonjë mënyre tjetër për çfarëdo organizate terroriste.
Gjatë seancave dëgjimore që ishin mbajtur, edhe vëllezërit Avdyli si dhe somalezi Bashir kishin thënë se kishin udhëtuar në Siri, por pohonin se deshën të ndihmonin në rrëzimin e regjimit të presidentit Bashar Al Assad.
Ky nuk është rasti i parë i dënimit të shqiptarëve lidhur me vepra terroriste.
Këto ditë u fuqizua edhe dënimi i përjetshëm për tre vëllezër shqiptarë nga Dibra, të cilët u akuzuan për organizim të sulmeve terroriste në SHBA.