Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka folur për skenarët që mund të rrëzojnë kandidaturën e Thaçit, ditën e votimit të tij në Kuvend.
“Unë jam e bindur që e vetmja mënyrë për ta parandaluar zgjedhjen e Thaçit president është duke e pamundësuar kuorumin prej dy të tretave të votave që kërkohen qysh në momentin kur fillon procedura e zgjedhjes së presidentit”, ka thënë ajo në një prononcim për Radion Evropa e Lirë. “Pra, përveç opozitës, duhen edhe 10 deputetë të LDK-së që atë ditë të mos qëndrojnë në sallë në mënyrë që të pamundësohet zgjedhja e tij në krye të shtetit për pesë vitet e ardhshme”, ka thënë Osmani.
Në arsyetimin e saj se pse nuk do ta mbështet Thaçin për president, deputetja Osmani, mes tjerash, vlerëson se ai nuk i plotëson dy kritere kryesore, që parashihen me Kushtetutën e Kosovës.
“E para, Thaçi nuk është figurë uniteti, por, përkundrazi, është figurë përçarëse. Dhe së dyti, për shkak se posti i presidentit është edhe shef apo udhëheqës i politikës së jashtme, sipas Kushtetutës, që nënkupton se duhet ta kemi një figurë që e rregullon imazhin e Kosovës në botë, ndërkaq z.Thaçi e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë vetëm të kundërtën”, ka vlerësuar Osmani.