Kosova më 3 nëntor dha testin e demokracisë evropiane. Kështu tha eurodeputetja gjermane, Doris Pack në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën.
Ajo theksoi se do të kishte qenë mirë sikur këtë test ta kishte dhënë edhe pjesa veriore, por kjo u pengua nga ekstremistët dhe vandalët serbë që nuk duan të pranojnë se kohërat kanë ndryshuar dhe që jetojmë një realitet të ri.
Pack thotë se përgjegjës këtu është edhe Serbia, e cila e ka vetë në dorë të dëshmojë dhe tregojë se vërtet e ka seriozisht qëllimin për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën, pasi nga kjo varet e ardhmja evropiane.
Ajo tha se ishin grupet ekstremiste serbe që përdorën dhunën dhe sulmuan qendrat e votimit. “Ashtu siç kam parë edhe televizionin gjerman, ka pasur raste kur femra të guximshme serbe që shkonin për të votuar të ‘armatosur’ me shkopinj të drunjtë për t’u mbrojtur nga ata burra ekstremistë serbë që donin t’i pengonin për të votuar. Kjo është një turp, është një trup i madh për ata burra dhe për ata serbë në përgjithësi që ende nuk po e kuptojnë ndryshimin e kohërave. Dëshiroj që Beogradi ta kuptojë se kjo nuk shpie askund. Beogradi duhet të ndikojë që zgjedhjet për balotazh që mbahen me 1 dhjetor të mbahen pa u penguar nga askush”, tha ajo.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Kosova tani, pas këtyre zgjedhjeve, është më afër në rrugën e saj drejt anëtarësimit evropian, tha se ka qenë më se e domosdoshme që këto zgjedhje të mbahen fer, të rregullta dhe demokratike.