Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj deklaratave të Qeverisë së Kosovës, se këtë vit ka pasur mbi 240 milionë euro investime. Ai në një shënim në Facebook ka theksuar se shumica prej këtyre të hyrave janë bërë në emër të pagesave për blerje të tokave, shtëpive dhe të pagesave të qirave.
Reagimi i tij i plotë:
Që disa herë Qeveria e Kosovës thekson se këtë vit në Kosovë ka mbi 240 milion euro investime të huaja. Do të ishim shumë të lumtur nëse Qeveria do të dëshmonte me emra dhe me shuma, por me plot përgjegjësi ju them se informata e Qeverisë është e pavërtetë.
Hyrjet kanë ndodhur, por shumica e tyre (mbi 155 milion euro) janë bërë në emër të pagesave për blerjet e tokave e shtëpive, si dhe pagesat e qirave që kryesisht vijnë nga diaspora. Këto nuk janë investime, siç pretendon Qeveria e Kosovës.
Në emër të marrëdhënieve biznesore, thonë se kanë hyrë mbi 50 milion euro. Edhe këto nuk mund të trajtohen si investime. Shumica e këtyre janë pagat që Mabetexi paguan për punëtorët e vet që punojnë jashtë Kosovës, ndërsa pagat paguhen nga Zvicra ne Kosovë.
Si investime Industriale thonë se janë të regjistruara 9 milion euro. Nuk di a është reale kjo shumë (kjo e 9 milionëve) por një gjë është e vërtetë: Vetëm Mabetexi, këtë vit, ka ndërtuar tri fabrika, të konfeksionit në Gjakovë, të kërpudhave në Mitrovicë, dhe Impiantin industrial të përpunimit të metaleve në Ferizaj.
Ky vit ishte viti i rënies së lirë të ekonomisë, shtimit të papunësisë dhe rritjes së varfërisë.