Disa fjalë për situatën politike në Kosovë i ka edhe presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli. Duke i quajtur të korruptuar politikanët që aktualisht qeverisin me vendin, mungesën e sukseseve në kohën kur ai ishte zëvendës i kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, Pacolli e arsyetoi me reduktimin e fuqisë vendimmarrëse që kabineti qeveritar i kishte bërë atij dhe ministrave të tij që ishin të pakët në numër.
“Sigurisht ka të drejtë gjithsecili të më thotë që ke qenë në Qeveri. Ju them se unë kam qenë në Qeveri katër vite, me pak ministra, fjala ime nuk është dëgjuar askund për arsye se kam pasur fuqi të reduktuar. Çdo iniciativë që e kam pasur, ka mbetur pothuajse në mbledhje të Qeverisë për arsye se nuk është votuar prej tyre. Aty kanë qenë 14-15 tjerë dhe ne kemi qenë dy- tre, pra nuk kemi mundur t’i ndryshojmë gjërat”, thotë ai.
Pacolli, dështimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës e sheh si dështim, por jo edhe anëtarësimin në UNESCO. E papranueshme i duket edhe gjendja e krijuar në Kuvendin e Kosovës dhe bllokadat që po bëhen, duke e përmendur edhe bllokadën gjashtë-mujore para se të lidhet koalicioni qeverisës mes dy partive më të votuara në vend. Pacolli thotë se me vendin po qeverisin njerëzit e korruptuar dhe që nuk kanë vizion për të ardhmen.
Në intervistën dhënë për KosovaPress, Pacolli flet edhe për angazhimin e tij gjatë vitit 2016 dhe thotë se do angazhohet shumë për qytetarët e vendit. Meqenëse numri i njohjeve për shtetësinë e Kosovës vitin që shkoi ishte më i ulëti se të gjitha vitet paraprake, ai u zotua se do t’i sjell njohje Kosovës në vitin 2016.
Sa i përket anëtarësimit në UNESCO, Pacolli shprehet i sigurt se Kosova do të anëtarësohet në UNESCO në vitin 2017, pasi që në votim munguan disa shtete.
E kur flet për Qeverinë, thotë se edhe sot që prej 15 vitesh aty janë njerëz që kanë shfrytëzuar mandatin e tyre vetëm për interesa personale.
Pacolli: Secila qeveri shfrytëzoi mandatin e saj për t’u pasuruar
“Po, kjo përsëritet prej mandatit në mandat dhe mund të them se prej 15 vjetësh Kosova ka pasur qeveritar jo të denjë. Kosova ka nuk ka pasur qeveritarë të cilët e kanë dashur me të vërtet Kosovën. Kosova nuk ka pasur qeveritarë që kanë pasur për vizion se si ta udhëheq qytetarin e Kosovës drejt një perspektive më të mirë, drejt një jete më të mirë dhe ky është rezultati i krejt kësaj. Secila Qeveri ka shfrytëzuar mandatin e saj që të pasurohet, që të punojnë për klanet e tyre, për familjarët e tyre, miqtë e tyre duke harruar krejtësisht përgjegjësitë e tyre. Duke harruar qytetarin e vet dhe kjo shihet në çdo kënd në Kosovë, për arsye se situatat vetëm janë përsëritur”, tha Pacolli.
Kur flet për Kosovën, Behgjet Pacolli i cili njihet si një ndër biznesmenët më të suksesshëm, nuk e lë anash as zhvillimin ekonomik. Këtu nuk lë pa kritikuar njerëzit brenda Qeverisë së Kosovë për të cilët ai vlerëson se nuk kanë vullnet për të punuar.
Pacolli: Njerëzit që janë në karrige, fatkeqësi për Kosovën
“Asgjë. Krejt kanë ardhur njerëz, zoti e di prej kah e janë ulur në ato karrige dhe kanë vepruar në mënyrën se si ata e kanë parë, dhe kjo është fatkeqësi e Kosovës. Për të qeverisë me Kosovën së pari duhet ta kuptosh se nuk je aty që të shfrytëzosh privilegjet e një qeveritari dhe të shfrytëzosh paranë e qytetarit, por je aty një punëtor i cili është i paguar prej qytetarit që të punosh për perspektivën e qytetarit. Është një ekzekutiv i cili është dashur çdo ditë të tregojë se cilat kanë qenë rezultatet e punës një-ditore”, tha Pacolli.
Vullnet për të punuar sipas Pacollit, qeveritarët nuk patën as në luftën kundër korrupsionit. Madje thotë se vetë njerëzit në qeveri janë të korruptuar. Sidomos, sipas Pacollit me inkuadrimin e familjarëve nëpër bordet e agjencive të pavarura.
Pacolli: Ujqërit e mëdhenj mandatuan njerëz nëpër borde të agjencive të pavarura
“Këta e kanë kriminalizur ekonominë e Kosovës. Ata i kanë dërguar njerëzit nëpër borde të ndryshme, ata i kanë dërguar njerëzit nëpër kompani publike, ata i kanë dërguar njerëzit nëpër agjencione të pavarura dhe mes tyre i kanë kryer punët për shkak se financuesit më të mëdhenj të këtyre njerëzve, familjeve të qeveritareve, gjegjësisht të partive në pushtet. Janë mu këta njerëz të cilët kanë qenë nëpër borde, nëpër kompanitë publike, agjensione të ndryshme, etj. Dhe këta njerëz nuk kanë ardhur prej qielli, këta njerëz janë të mandatuar prej dikujt. Prej kujt janë të mandatuar, prej njerëzve të mëdhenj, prej ujqve të mëdhenj, prej qeveritarëve. Sigurisht ka të drejtë gjithsecili të më thotë që ke qenë në Qeveri. Ju them se unë kam qenë në Qeveri katër vite, me pak ministra, fjala ime nuk është dëgjuar askund për arsye se ka m pasur fuqi të reduktuar. Çdo iniciativë që e kam pasur, ka mbetur pothuajse në mbledhje të Qeverisë për arsye se nuk është votuar prej tyre. Aty kanë qenë 14-15 tjerë dhe ne kemi qenë dy- tre, pra nuk kemi mundur t’i ndryshojmë gjërat”, thotë Pacolli.
Duart e lidhura Pacolli thotë t’i ketë pasur edhe në komunat e Mitrovicës dhe Gjakovës, të cilat udhëhiqen nga partia e tij. Madje, në këto dy komuna siç thotë Pacolli, Qeveria nisi të banalizoj me idetë e tyre shumë serioze për zhvillimin e vendit.
Pacolli: Nuk na lanë të punojmë
“Kishim një iniciativë shembull në Gjakovë që komuna të na jep një tokë neve dhe aty të ndërtojmë fabrikat. Ajo filloi të banalizohet menjëherë nëpër media sepse aty ka konflikt interesi, se kryetarja e Gjakovës apo kryetari i Mitrovicës është pjesë e AKR-së dhe Behgjet Pacolli si kryetar i AKR-së është i privilegjuar me i marrë ato toka. Është dashur të fillojmë implementimin e këtij programi që e kemi përgatitur dhe na është dashur që të marrim hapësira me qira duke paguar qira shumë të larta. Kur kemi filluar të punojmë në fabrikën e Emin Durakut, të cilën AKP-ja e ka privatizuar atë, ia ka shitur dikujt dhe prej tyre ne është dashur me marrim me qira. Një e dyta në Mitrovicë, ku jemi duke e ndërtuar kompleksin e madh të fermës agro-ekonomike, gjegjësisht të prodhimit të këpurdhave, na është dashur të shkojmë tek privatët të marrim tokë pjellore pa asnjë infrastrukturë ta krijojmë infrastrukturën ta burifikojmë atë terren për hapësirat prodhuese të ndërtojmë fabrikën dhe të paguajmë qira tërë jetën…. Ne nuk mundëm të marrim atë tokë . Në fund, për ta implementuar atë është dashur ose të ikim nga Mitrovica ose të shkojmë tek njerëzit privat të ju marrim tokë me qira. Kjo është marri për këtë Qeve ri. Asnjëherë nuk kanë dashur ta dëgjojnë zërin tonë, asnjëherë nuk kanë dashur t’i mbështesin këto dy komuna”, thotë Pacolli më tutje në intervistën për KosovaPress.
Megjithatë, Pacolli thotë se dy kryetarët e partisë së tij që udhëheqin me dy prej komunave më të mëdha në vend janë duke shënuar sukses.
Por, kohëve të fundit është përfolur shumë se njerëzit më të fuqishëm në partinë e Pacollit po kërkojnë reforma dhe ata kanë kërcënuar se nëse nuk bëhet një gjë e tillë do të largohen nga partia.
Se a po shuhet AKR-ja, shpjegimet i jep vetë Pacolli.
Pacolli: AKR nuk po shuhet
“AKR-ja ka kuptim të jetë në spektrin politik të Kosovës, vetëm nëse asaj i ofrohet mundësia të kontribuoj për qytetarin edhe për shtetndërtimin e Kosovës. AKR-ja gjithmonë kam thënë se nuk ka nevojë të ekzistojë që t ë akomodojë njerëzit e vetë, nuk ka nevojë edhe anëtarësia e AKR-së e din atë. AKR-ja nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë aty për të akomoduar farefisin, familjarët. AKR-ja ka kuptim të ekzistoj vetëm nëse i krijohet mundësia që ajo të kontribuojë për shtetndërtimin e Kosovës, që të kontribuojë për perspektivën ekonomike të Kosovës”, thotë ai tutje.
Në intervistën dhënë KosovaPress-it, Pacolli nuk lë pa komentuar edhe bllokadat e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe kundërshtimet e opozitës përmes protestave dhe gazit lotsjellës.
Ai thotë se është kundër dhunës, kundër bllokadës dhe kundër destruktivitetit. Ndërsa, thotë se opozita kundërshtimin duhet ta bëj përmes formave të tjera, pasi sipas tij me veprimet që kemi parë kemi dërguar mesazh shumë të keq tek miqtë tanë.
Pacolli: Ka mënyra tjera të kundërshtimit
“Ne kem i dërguar imazh shumë të keq tek miqtë tanë. Ne i kemi treguar botës, që ne dhunën nuk e kemi harruar, dhe ne jemi njerëz të dhunës, nuk është absolutisht normale, që për një popull në qendrën e Evropës të veproj në atë mënyrë. Nuk mund të pengohet jeta demokratike e një vendi. Ata njerëz që janë zgjedhur prej qytetarëve, nuk janë zgjedhur që të shkojnë dhe ta shkatërrojnë pronën, të shkojnë dhe të krijojnë situata të tilla nëpër institucionet tona. Kanë ekzistuar një milion mënyra tjera se si të kundërshtohet puna e keqe e qeverisë”, thotë Pacolli.
Presidenti i AKR-së thotë se nuk mund të tërhiqet një nënshkrim i bërë ndërmjet dy shteteve, ashtu siç nuk mund të hiqet as ky për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Ka kaluar në parlament, është nënshkruar, është mbyllur dhe duhet të implementohet. Nuk e paragjykoj a është dokument i keq për Kosovën, apo i mirë, ashtu si është ky dokument duhet të ecë përpara. Kosova nuk mund t’ia lejoj vetës të mos implementojë përgjegjësitë që i ka marrë në arenën ndërkombëtare”, thekson Pacolli.
Ndërsa, fjalëve në opinion se AKR-ja ka financuar disa prej medieve në vend, Pacolli iu ka përgjigjur me mohim. Sipas tij, AKR-ja nuk ka media në pronësi, por ka miq dhe fakti që ai shoqërohet me gazetarë nuk do të thotë se ai apo partia që ai udhëheq i financon ata apo mediumet e tyre. Pacolli në fund tha se po të ishin të vërteta këto supozime, AKR-ja do të ishte më ndryshe. /KosovaPress/