Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka paralajmëruar kthimin e partisë së tij në skenën politike dhe këtë ai thotë se do ta bëjë si subjekt i vetëm politik, pa lidhur koalicion me askënd.
Në një intervistë për Kohavisionin, Pacolli ka deklaruar se u tradhtua nga njerëzit, të cilëve u besoi, duke i futur në strukturat më të larta të partisë.
Në mesin e atyre që e shfrytëzuan atë dhe AKR-në nuk e fut Mimoza Kusari Lilën, por thotë se ai do të jetë në krye të ndryshimeve të subjektit të tij, i cili megjithatë do të ruajë konceptin e partisë liberale, raporton KTV.
Behgjet Pacolli, i cili për pak ditë ishte në krye të shtetit, ka dërguar në Kushtetuese memorandumin e nënshkruar në prillin e 2011-ës mes tij, Hashim Thaçit e Isa Mustafës, pasi ai pretendon se ajo marrëveshje u shkel për faktin se nuk u zbatua pika në të cilën udhëzoheshin komisionet për ndryshimet kushtetuese, që zgjedhja e Presidentit të bëhej përmes votës së popullit.