Lajmet e fundit

Pakënaqësi alarmante e qytetarëve me institucionet e shtetit!

Korrupsioni dhe nepotizmi me punësim familjar në administratë të shtetit e në ndërmarrje publike, caktimi në borde dhe në pozita të tjera udhëheqëse të militantëve partiak para profesionistëve, janë vetëm disa nga indikatorët që kanë ndikuar të bie kënaqshmëria tek institucionet kyçe ekzekutive, legjislative dhe juridike.

Në favor të këtij konstatimi flasin edhe të dhënat e fundit ë “Pulsit publik 10”, të publikuar një ditë më parë nga Programi Zhvillimor i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ndërsa analistët vlerësojnë se ka kaluar koha kur qytetarët u besonin bllanko institucioneve dhe politikanëve, sepse tashmë ka filluar të krijohet klimë e re ku edhe qytetarët kanë nisur të vetëdijesohen se nuk mund të jenë më në shërbim të politikanëve mashtrues.

Sipas “Pulsit publik 10” të UNDP-së dhe USAID-it vetëm 18% e kosovarëve janë të kënaqur me punën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative dhe juridike, ndërsa përafërsisht 15% të kosovarëve janë të kënaqur me përformancën e kryeministrit në krahasim me 34% në mars të vitit 2015.

Politikologu dhe analisti Behlul Beqaj deklaron për KosovaLive se kjo pakënaqësi është reflektim i sjelljeve dhe veprimeve të politikëbërësve gjatë periudhës së kaluar, veçmas pas paralizimit të kuvendit për shkak të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Është një moment shumë i rëndësishëm për vetëdijen politike të qytetarëve në njërën anë dhe për rishikimin e qasjeve të politikanëve karshi premtimeve që po ju japin qytetarëve. ‘Pulsi publik’ është një indikator se po kalon koha kur qytetarët u kanë besuar bllanko politikanëve mashtrues. Ka filluar të krijohet një klimë e re ku qytetari ka kuptuar se nuk dëshiron më të jetë në shërbim të politikanëve, por dëshiron që politikanët dhe politika të jetë në shërbim të qytetarit”, thotë Beqaj.

Edhe analisti Blerim Burjani thekson për KosovaLive se këto shifra shqetësuese janë rezultat i asaj se funksionimi i shtetit po ndodhë për interesa të partive e jo për interesa të qytetarëve.

Sipas tij, për të ndryshuar këtë duhet të bëhen ndryshime duke filluar nga ulja e pagave të deputetëve deri në nivel të mëditjeve vetëm për pjesëmarrje në seanca. Po ashtu, ai thekson se duhet të reduktohet administrata shtetërore nga njerëzit partiak dhe familjar dhe të bëhet një testim për klasifikim i tyre.

“Gjithashtu, duhet shikuar se kush ushtron poste të larta në administratë dhe kur i kanë përfunduar ato studime, sepse ka shumë të dhëna që flasin se në ato institucione kanë hyrë pa fakultet të kryer, ndërsa tani kanë diploma të lloj-llojshme”, thotë Burjani.

Ai mendon se duhet krijuar klimë që njerëzit mos të merren me politikë për shkak privilegjeve, por për shkak interesit për të iu shërbyer qytetarëve. Tani marrja me politikë dhe zënia e një pozite udhëheqëse diku qoftë si anëtar bordi shihet si interes i së cilit, pasi aty do të ketë një pagë shumëfish më të madhe se kudo në sektorin privat.

“Kur të kemi pagat në sektorin privat aq sa janë në sektorin publik, atëherë kjo do të duket ekonomi e tregut. Kjo si është tani s’ka lidhje me ekonomi të tregut, por me veprime korruptive e mashtruese, si dhe me një eksploatim të vrazhdë të fuqisë së bollshme punëtore në shtetin që ka shkallën e papunësisë de fakto 70 për qind dhe të pranuar zyrtarisht mbi 40 për qind “, nënvizon Burjani.

Ai shton se për tu rikthyer kënaqshmëria me institucionet publike duhet të bëhet shpronësimi i të gjithë atyre që kanë përfituar nga mashtrimet dhe keqpërdorimet e buxhetit të shtetit, të hiqen të  gjithë partiakët nga institucionet publike të cilët gjatë periudhës së mbajtjes së posteve kanë shfrytëzuar postin për të marr tituj shkencorë duke u bërë profesorë në Universitetit të Prishtinës, e që sipas tij, janë të shumtë veçmas nga PDK -ja.

Burjani merr si shembull Gjykatën Kushtetuese si institucion që do të duhej të ishte në krye të listës për besueshmëri, ndërsa shton se është i bindur që ajo me çfarëdo sondazhi zë pozitën nga fundi i listës. Sipas tij, kjo gjykatë qysh moti e ka humbur kredibilitetin te qytetarët pasi është vënë në shërbim të politikës.

“Duhet ndryshuar Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe ashpërsuar kriteret për caktimin e gjyqtarëve në atë gjykatë. Edhe pse ligji ekzistues përparësi iu jep njerëzve që kanë përvojë 10 vjeçare në sistemin gjyqësor, aty zgjedhën njerëz partiak, të cilët do të jenë të dëgjueshëm dhe në shërbim të politikës. Gjykata Kushtetuese ka degraduar shumë në kohën e ish-kryetarit të saj”, vlerëson Burjani.

Atdhe Hetemi, menaxher i projektit ‘Pulsi publik’ ka deklaruar se në anketën e fundit të publikuar të enjten, rënia më e lartë e kënaqshmërisë së njerëzve vërehet me punën e kryeministrit.

Sa i përket institucioneve legjislative ai thotë se vetëm 20% e kosovarëve janë të kënaqur me punën e Kuvendit dhe përformancën e kryetarit të Kuvendit.

“Po ashtu, edhe pse presidentja gëzon nivelin më të lartë të kënaqshmërisë tek qytetarët ky nivel i kënaqshmërisë gjithashtu ka rënë me kalimin e kohës. Anketat aktuale tregojnë se vetëm 30% e kosovarëve janë të kënaqur me punën e presidentes në krahasim me 40% në nëntor të vitit 2014.

Kur të gjeturat aktuale krahasohen me ato të mbledhura në anketat e mëhershme është evidente se prokuroritë, gjykatat, kryeministri, institucionet qendrore dhe kryetari i Kuvendit kanë arritur nivelin më të ulët të kënaqshmërisë së qytetarëve që nga marsi i vitit 2007”, ka deklaruar Hetemi.

Pakënaqësia e kosovarëve me punën e institucioneve kyçe reflektohet gjithashtu në nivelin e kënaqshmërisë me drejtimin aktual politik të Kosovës ku rreth 68% e respondentëve raportojnë të jenë të pakënaqur apo shumë të pakënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës.

Rreth 78% e të anketuarve kanë thënë se problemet më të mëdha me të cilat përballet Kosova sot ndërlidhen me kushtet ekonomike-sociale.

Po ashtu, rreth 43 % e respondentëve kanë thënë se papunësia është problemi më i madh, ndërsa pas tij vjen varfëria me 31% dhe korrupsioni me 4.5%.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.