Shkelqim Hysenaj
Herët në mëngjes, mund të jeni duke pirë çajin tuaj të preferuar, shtrirë në kanapenë që e keni blerë më djersë. Të ftohtit që mbizotëron jashtë, vetëm sa mund të ta shtojë dëshirën për të mos u ngritur gjatë gjithë ditës.
Megjithatë, pas më shumë se një ore ‘nxemja’ e kyçur në korrentin e stërlodhur mund të ketë nisur pak të të ngrohë, por njehsori elektrik pamëshirshëm regjistron kilovatët e tarifës së shtrenjtë. E ti, shtrirë si gjithmonë, vazhdon “të shijosh” atë të nxehtë “përvëlues”, i cili nuk arrin dot të heqë as avullin që del.
Ka filluar të të vijë të nxehtë!!!
“Nxemja” merr pamje të kuqe, ndërsa “telat” e saj veç sa nuk janë këputur. E ti gati je shkrehur i teri nga pesimizmi që të është ngjitur si një pjesë.
Ora 10.00!
I lodhur, pa bërë ndonjë punë, mezi mbërrin të kapësh telekomandën. Ndez televizorin. Një, dy, tre… Ndërron stacionet. Asgjë nuk të bënë të kënaqesh. Asgjë! Të ka humbur humori!
E njehsori i rrymës vazhdon të sillet. Ti ende rri i shtrirë, duke mos e kuptuar as vetë se çfarë po mendon në të vërtetë.
E hënë, ora 10:09. Fillon shfaqja që e prisje. “Turp”; “Turp”; “Turp”.
Nuk zgjat shumë. Vetëm 30 sekonda. Skenari i njëjtë. Personazhet e njëjta. Regjisori: ENDE I PANJOHUR!
Pak më vonë shfaqja fillon të përmirësohet. Për këtë përkujdesen ‘statistët’. Ata janë shumë. Janë edhe të pajisur. Maskat shihen gjithandej. Njëri shanë, tjetri shtynë, tjetri arreston. Tym! Edhe ti e humb përqendrimin. I hapë sytë, nuk e din se kush është sulmuesi, kush është autori, kush fajtori e kush viktima. Kush e bëri gabimin? Kauzën kush e pati ? Cili e prodhojë “shfaqjen”!!!! Kush po e mbron e kush po e dëmton ? Cilët kanë të drejtë? Me të cilët të rreshtohesh?
Ti për të gjitha pyetjet mund të gjesh përgjigje! Për pyetjen e fundit, më mirë të mos mundohesh. Vështirë mund ta gjesh!
Tashmë ka kaluar mesdita dhe ti ke në kokë shfaqjen e njëjtë. Tym, shtyrje, shfryrje…
Ti mbetesh i rehatuar në kanapenë tënde modeste.
Megjithëse ka kaluar gati gjysma e ditës ti ende s’ke fituar asnjë cent. Për shfaqjet nuk të duhen. Ato të “të sigurohen” falas. Por, derisa t’i mbetesh i shtrirë e me “duar ne xhepa”, (ai /ata), aktori i ‘shfaqjes’ tënde, mund të blejë një dy ose më shumë kanape për ata pak sekonda sa qëndron në Kuvend.
Atë të cilën ti nuk e ke, me parat tua, e blen dikush tjetër. Jo vetëm ai i Qeverisë, por të gjithë ata që janë në pushtet e të lidhur me të, qeveritari, opozitari….
Mbrëmja ka nisur të ofrohet. Ti ende s’e ke fituar asnjë cent. Ndihma sociale prej 50-60-70 apo 80 eurosh është larg. Larg sa një jetë.
E ty çaji tashmë t’u ka ftohur. Akull t’u ka bërë. Rryma t’u ka ndalur dhe këtë fare se ke vërejtur. Të duket gjithçka njësoj.
Tashmë duket se s’po mendon për asgjë. Truri t’u ka lodhur aq sa edhe shpirti yt i shkretë.
Miku im!
Tashmë ke edhe të ftohtë. S’ka fare rrymë e ty të pihet shumë edhe një çaj tjetër i nxehtë. Por, nuk ia arrin ta kesh. Edhe uji mungon në këtë kohë. E vonë është. Gati 20-të. Ç’të të hashë? Asgjë! Sepse asgjë nuk ke. Të shkosh në dyqan! Nuk mundesh. Nuk ke as rroba. Nuk ke as para.
Sërish shtrihesh. I mbyll sytë. Gjithçka të shkon ndërmend. Por më së shumti diçka të vret. Se si ai që t’i ia dhe votën bënë hajgare me ty. Bën hajgare pikërisht në ditën kur vendi yt voton atë COPË buxhet me të cilin, jo vetëm ti, por vetë Qeveria nuk pajtohet me të.
Miku im!
I shtrirë, i papunë, i varfër, i zhveshur, i uritur dhe i pa shpresë… të kuptoj plotësisht. Ty nuk të intereson për kauzën e vërtetë, për lojën që po luhet para nesh.
Turp! Turp!
Turp për të gjithë!
TURP (PËR TY), TURP( PËR NE), TURP (PËR QEVERINË), TURP (PËR OPOZITËN), TURP (PËR QYTETARIN E SHKRETË)!
(Autori është gazetar i Kohavisionit)