Javën që vjen, më 14 tetor, në Bruksel është dashur të ishte miratuar dhe publikuar paketa vjetore e zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e përfshira në këtë proces.
Një ditë më herët, siç kishte konfirmuar edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel është paraparë të zhvillohet edhe një raund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të lartë, shkruan sot Koha Ditore.
Nga BE-ja të hënën është konfirmuar se për një javë do të shtyhet miratimi i raporteve të progresit, ndërsa sa i përket raundit të dialogut nuk ka konfirmim për datën, por, sipas të gjitha gjasave, mbetet që ai të zhvillohet në mesin e javës që vjen.
Nga Komisioni Evropian shtyrja e publikimit të Raportit të Progresit është arsyetuar me “interesin e fuqishëm të presidentit dhe tërë kolegjit që paketa e zgjerimit të ketë vëmendjen e merituar të medias dhe publikut”.
Këtë e ka konfirmuar edhe Maja Kocijançiq, zëdhënëse në Komisionin Evropian e angazhuar për temat e zgjerimit.