Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili ndodhet në arrest shtëpiak për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ka thënë në një lidhje direkte për RTK-në se pamjet e protestës së 9 janarit , do të shihen më shpesh në Kosovë.
Ai ka theksuar se opozita i ka ftuar qytetarët në protesta, por që të jenë të qetë, mirëpo sipas tij, qytetarët tashmë janë zhgënjyer dhe nuk po dëgjojnë më thirrjet për protesta paqësore.
“Pushteti nuk po punon për interesat e qytetarëve, por po punon për hir të vetvetes. Ata u kanë kthyer institucionet e pavarura në shërbim të elitave politike. Në Kosovë ndodh që mos me pas siguri brenda institucioneve të sigurisë, për shembull në polici ku vjedhin provat”, ka shtuar Konjufca.
Sipas tij, numri i protestuesve nga 100 mijë sa morën pjesë në protestën e 9 janarit, pas disa ditësh do të bëhen 200 mijë dhe pas disa muajsh do të arrin në 300 mijë.
“Të gjitha premtimet që i kanë bërë po argumentojnë se qytetari ka mbet i gënjyer, po e shohin që kanë gënjyer për liberalizim të vizave. Thaçit e Adem Grabovcit nuk u duhet liberalizimi i vizave sepse ata rrinë vetëm në aeroplanë”, ka thënë tutje Konjufca.
Duke fol për vendimin e Kushtetueses, Konjfuca ka akuzuar pushtetin se i kanë dhënë besën Serbisë për krijimin e Zajednicës, mirëpo sipas tij, për qeveritarët më e rëndësishme do të duhej të ishte besa e dhënë qytetarëve.