Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për javën e ardhshme ka parashikuar se do të mbajë mot me vranësira dhe me intervale me diell, në pjesën më të madhe me temperatura të ditës prej 16 deri 19 gradë celsius. Gjatë ditës vende-vende do të ketë edhe reshje të dobëta të shiut.
Vendi ynë gjatë kësaj jave do të ndikohet nga masat e ajrit me presion të lartë atmosferik. Kjo gjendje barike do të kushtëzojë një mot me vranësira dhe me intervale me diell, thuhet në njoftimin e IHMK.
Të hënën do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe në orët e para vende- vende do të ketë riga shiu. Temperaturat minimale do të zbresin deri 8 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 10-12 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga verilindja e lehtë deri mesatare.
Nga dita e martë do të ketë stabilizim të motit dhe ngritje të vlerave të temperaturave nga 16-19 gradë Celsius, do të jenë maksimalet gjatë ditëve në vijim.
Të mërkurën dhe të premten ka mundësi të ketë riga të dobëta shiu , por që nuk do të ketë ndikim të madh në uljen e temperaturave maksimale, meqë do të ketë masa të ngrohta të ajrit të cilat nga dita e martë e deri në fundjavë do ta mbajnë drejtimin juglindor. Do të fryjë erë nga juglindja me shpejtësi 1-5m/s.
Sasia e reshjeve të regjistruara në orët e fundit ishte nga 30mm në veri të vendit, deri në 50 mm në jug dhe juglindje, derisa në perëndim kjo sasi e reshjeve ishte më e madhe.