Partia e Drejtësisë shpreh keqardhje dhe indinjatë përkitazi me deklaratën e Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga se në emër të laicizmit nuk do të lejojë përdorimin e mbulesës së kokës – shamisë në shkollat e vendit.
Partia e Drejtësisë ia përkujton Presidentes së vendit se e drejta e manifestimit publik të bindjeve fetare është e drejtë e çdo qytetari të Kosovës, e garantuar me nenin 38 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e drejtë kjo të cilën ajo në bazë të Kushtetutës së vendit është e detyruar ta respektojë dhe ta mbrojë, thuhet në reagimin e kësaj Partie, që iu shpërnda medieve me rrugë elektronike.
Nëse zonja Presidente është kaq e pasionuar për të sanksionuar këtë shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave të njeriut garantuara edhe me nenin 18 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Partia e Drejtësisë ia sugjeron Presidentes së vendit që të iniciojë nxjerrjen e ligjit, i cili do të ndalojë bartjen e shamisë në shkolla, deri atëherë kjo kërkesë është në kundërshtim të plotë me nenin 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut për të Drejtat e Njeriut përkitazi me këtë çështje, vazhdon reagimi
Partia e Drejtësisë kërkon nga Presidentja e vendit që të mos tejkalojë kompetencat e saja kushtetuese dhe që të ketë ndjeshmëri dhe maturi shumë më të madhe kur janë në pyetje vlerat kulturore të qytetarëve të besimit Islam që paraqesin shumicën absolute të vendit tonë. Asnjëherë, në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim, populli i Kosovës nuk do të lëshoj pe para përpjekjeve të inxhinieringut politik dhe kulturor që ka për qëllim ndryshimin e vlerave të traditës së tij kombëtare dhe fetare.
Partia e Drejtësisë ia sugjeron Presidentes së vendit dhe të gjithë atyre të cilët në mënyrë kundërkushtetuese dhe kundërligjore janë duke penguar realizimin e lirisë dhe të drejtës elementare kushtetuese të manifestimit publik të bindjeve fetare të qytetarëve që përkitazi me këtë çështje të marrin mësim nga demokracia më e përparuar e botës bashkëkohore dhe simboli i respektimit shtetëror të lirive dhe të drejtave të njeriut, mikut të përjetshëm të popullit shqiptar dhe Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfundon reagimi i Partisë së Drejtësisë.
Presidentja Jahjaga i tha mbrëmë KTV-së se nuk do të lejojë shaminë në shkolla.