Janë dashur 12 orë shkëmbim zjarri, mes forcave RENEA dhe autorit të vrasjes së komandantit të FNSH-së, që ky i fundit të vritej gjatë luftës me policinë. Mëngjesin e sotëm, RENEA ka mundur të vrasë Ruzhdi Aishta, i cili mbrëmjen e djeshme vrau me armë zjarri komandantin e FNSH-së së Shkodrës, Simon Gjeta.
Gjatë gjithë natës RENEA ka mbajtur nën rrethim autorin, , i cili përgjatë natës në mënyrë të vazhdueshme ka hapur zjarr në drejtim të RENEA-s.
Këto të fundit madje kanë përdorur edhe gaz lotsjellës, tymuese e strune dhe i kanë bërë thirrje të dorëzohet, por autori i krimit u është kundërpërgjigjur thirrjeve me zjarr të vazhdueshëm. Pas rreth 12 orësh luftë me autorin, në orën 07:10 të mëngjesit, efektivët e RENEA-s i kanë bërë përsëri thirrje të dorëzohet, por 52-vjeçari nuk është përgjigjur. Në këtë moment RENEA ka ndërhyrë në banesën e autorit, i cili ishte fshehur në aneks.
Sapo ka parë efektivët brenda banesës Aishta ka qëlluar ndaj tyre, ndërsa RENEA i është kundërpërgjigjur zjarrit, ku si pasojë ka mbetur i vrarë autori i krimit.