Lajmet e fundit
Pas shumë kritikave-miratohet projektligji për buxhetin 2014

Pas shumë kritikave-miratohet projektligji për buxhetin 2014

Me 59 vota pro, 31 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi I Kosovës ka miratuar projektligji për Buxhetin e viti 2014. Edhe pse opozita kishte kundërshtruar, projekligji kaloi në lexim të parë.

Kreu i ekzektutivit, Hashim Thaçi, ka vlerësuar lartë buxhetin për vitin 2014, duke thënë se do të mundësojë rritjen e pagave ashtu siç ka premtuar për 100 për qind, në mandatin e ardhshëm, 2014-2018. Ai ka theksuar se do të vazhdojnë me rritjen ekonomike, qeverisjen e mirë, integrimet evropiane, me përmirësimin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.

“Ky është premtimi im, zotimi im dhe vendimi im, natyrisht me vullnetin e qytetarëve”, ka thënë Thaçi.

Vlen të theksohet se deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që në projekligjin për Buxhetin 2014, të intervenohet në ndërtimin e rafteve nëpër shkolla, për shkak se sic tha ai, të zvogëlohet pasha e qantave të fëmijëve shkollorë.

“Një nga kërkesat e mija më këmbëngulëse në projektligjin e Buxhetit të vitit 2014, ka qenë intervenimi në ndërtim të rafteve në shkolla, me qëllim të zvogëlimit të peshës së qantave të fëmijëve shkollor, për të evituar deformimet e shtyllës kurrizore të fëmijëve”, ka thënë Haxhiu.

Kurse, deputetja nga radhët e LDK-së, Vjollca Krasniqi ka kritikuar ministrin e Kulturës, Rinisë, dhe Cështjeve Jorezidente, Memli Krasniqi, I cili sipas saj, nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar gjendjen në këtë dikastër.

Hashim Thaçi: Isa e humbi Prishtinën, i fitoi katundet

(E Plotësuar): Debati për buxhetin në Parlament, ka rrëshqitur në debat për zgjedhjet në Prishtinë.

Kështu Kryeministri Hashim Thaçi, duke folur për investimet në komuna ka përmendur edhe Komunën e Prishtinës, ku sipas tij, ka pasur investime në vlerë prej 110 milionë euro.

“Do ta mbështes Isën nëse zgjidhet, do ta mbështes secilin që zgjidhet”, ka thënë ai.

Pas kësaj kanë reaguar deputetët e LDK-së.

“Ai (Isa) e ka humbur Prishtinën e ka fituar rrethinën”, është kundërpërgjigjur Thaçi,

Opozita e bashkuar: Buxhet i Varfërisë

(E Plotësuar): Partitë opozitare, LDK, Vetëvendosje dhe AAK, i kanë thënë “Jo” Projekt-Buxhetit për vitin 2014 të prezantuar nga Qeveria e Kosovës.

Në seancën e sotme, Naser Osmani i LDK’së dhe Visar Ymeri i Vetëvendosjes kanë kritikuar mungesën e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe zëvendësve të tij në seancën e sotme ku është duke u shqyrtuar në lexim të parë Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm.

Në emër të Grupit Parlamentar të LDK’së, Naser Osmani ka thënë se Buxheti i prezantuar nga Qeveria e kthen Kosovën në depresion “Rënia e investimeve në ekonomi po vazhdon për shkak të politikave të dëmshme fiskale. Ky është Buxhet shpenzues, sepse 68.5 për qind e tij është për shpenzime, paga dhe çështje sociale. Ky është Buxhet për ta menaxhuar varfërinë që ka kapluar Kosovën. Qytetarët e Kosovës nuk shohin perspektivë nga kjo Qeveri”.

Osmani u ankua për shpërndarje të pabarabartë të Buxhetit nëpër komuna në të cilat qeveris PDK’ja në dëm të atyre që qeverisen nga LDK.

“LDK nuk mund ta mbështesë këtë Buxhet në të cilin nuk është bërë shpërndarje proporcionale të investimeve kapitale”, ka thënë Naser Osmani.

Ndërsa Visar Ymeri, Shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka thënë se Buxheti i prezantuar “nuk është Buxhet zhvillimor, por Buxhet para-apokaliptik”

“Po na prezantohet si Buxhet për shpëtim nga humnera, e jo Buxhet si zhvillim. Shpëtimi nga humnera po na prezantohet si ecje përpara. Shifrën për 4.1 për qind të rritjes ekonomike nuk duhet ta marrim shumë seriozisht, sepse edhe në të kaluarën shifrat nuk kanë dalë ashtu siç janë prezantuar. Ne do ta votojmë kundër këtë Buxhet dhe mendojmë që edhe në amandamentimin e tij, përveç nëse ndryshohet tërësisht, ky Buxhet do të mbetet i njëjtë”, ka thënë Ymeri.

Edhe Ardian Gjini, Shef i Grupit Parlamentar i AAK’së, ka shprehur qëndrimin “kundër” të grupit të tij ndaj Buxhetit.

“Shifrat në tabela nuk përputhen. Të paktën këto shifra duhet të përputheshin. Si mund të proklamohet rritje e madhe kur ju e shihni një rritje të GDP’së. Kjo rritje nuk është për mburrje, sepse është nën mesataren”, ka thënë Gjini.

LDK: Mungesa e Kryeministrit për keqardhje

(E Plotësuar): Në emër të Grupit Parlamentar të LDK’së, deputeti Naser Osmani ka thënë se është për keqardhje mungesa e Kryeministrit në seancën plenare ku po diskutohet për buxhetin e shtetit.

Sipas tij, mungesa e Kryeministrit, por edhe Zëvendëskryeministrave dhe Ministrave tregon për degradimin e institucioneve shtetërore që po bëhet nga ana e PDK’së.

“Është për keqardhje nuk është prezentë Kryeministri, asnjë zëvendëskryeministër..Me të vërtetë është për keqardhje për një degradim dhe shpërfillje të institucioneve të Kosovës”, ka thënë ai.

Nisin diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2014

(E Plotësuar): Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur debatin për projektbuxhetin e Shtetit për vitin e ardhshëm.

Pas debatit, ky projektbuxhet do të nxirret për votim.

Kundër këtij projektbuxheti kanë dalë LDK, AAK dhe Vetëvendosje, ndersa PDK, AKR dhe minoritetet pro.

Para se të nisë debati, deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu ka propozuar të shkurtohet koha e diskutimeve në Kuvend për sa i përket buxhetit të vitit 2014.

Por, asnjë prej grupeve tjera parlamentare nuk është pajtuar me këtë propozim.

Beqaj: Do të kemi rritje ekonomike mbi 4 %

Ministri i Financave i Kosovës, Besim Beqaj ka paraqitur në Kuvend projekt-buxhetin për vitin 2014. AI thënë që me këtë buxhet pritet që të ketë rritje ekonomike mbi 4 % në vitin 2014 dhe se do të ulët bilanci negativ në mes të importit he eksportit.

Rexhep Selimi: Bisedimet legjitimuan krimin në veri

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka adresuar një varg kritikash në drejtim të Qeverisë së Kosovës, lidhur me procesin e zgjedhjeve në veri të vendit, ku tha se situata e krijuar atje është produkt i marrëveshjeve Thaçi-Daçiq.

Selimi tha se në veri ka pasur këso zgjedhje edhe në kontrollin e hekurt të Millosheviqit, por edhe tash zgjedhjet në veri u mbajtën nën udhëheqjen e Daçiqit, i cili posa vërejti që në atë pjesë do të humb ”Srbska”, kërkoi përsëritje të zgjedhjeve.

Hajzeri e Agani përplasen për Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani është pyetur në lidhje me zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe ka thënë që është i kënaqur me zbatimin e këtij ligji. “Ky ligj është mirëpritur nga qytetarët tanë”, ka thënë Agani duke thënën se edhe Raporti i Progresit e ka përmendur këtë arritje.

Ai ka thënë që periudha e dimrit do të jetë e vështirë për batimin e ligjit, por ka thënë që në nivelin komunal po krijohen ekipe multi-sektoriale për zbatimin ligjit në fjalë, ku janë kyçur edhe Policia e Kosovës.

Bekim Haxhiu nga PDK-ja ka ngritur me pyetje parlamentare një shqetësim që lojërat e fatit janë afër shkollave, e kryesisht kjo vërehet në Prishtinë.

Ministri i Financave, ka thënë që lejet e punës në nivelin komuna i japin komunat, si përgjigje se pse ato ndodhen afër shkollave.

Ferid Agani, Ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Thaci II i është përgjigjur Rita Hajzerit. “Nuk bëhet fjalë për nj gënjeshtër”, ka thënë ai duke iu referuar mos-miratimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.

Ai ka shpjeguar se ka qenë kërkese e mekanizmave ndërkombëtar monetar që ky ligj të paraqitet në Kuvendin e Kosovës pas shqyrtimit të Ligjit për Buxhetin 2014 dhe ka thënë që shpejt ai do të vij në kuvend.

Ndërkohë Rita Hajzeri nga LDK iu është kundër-përgjigjur Aganit duke thënë se në draft-buxhetin e viti 2014 nuk parashihet “asnjë cent për Ligjin për Sigurimet Shëndetësore”.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së shprehi shqetësimin për “Bjeshkët e Nemuna” pas miratimit të ligjit për këtë zonë. Ai ka thënë që kjo e ka qel derën për prerjen e pyjeve në këtë zonë. AI ka kërkuar që të definohen të drejtat e banorëve të kësaj zone mbi këtë pasuri nacionale.

Rita Hajzeri nga LDK-ja ka thënë se mos bërja e Ligjit për Sigurimit Shëndetësor është edhe një gënjeshtër që e ka bërë kjo Qeveri, pasi që Ministri i Shëndetësisë , Ferid Agani ka premtuar që ky ligj do të bëhet.

Ganimete Musliu nga PDK-ja tha se Raporti i Progresit më së shumti kritikohet për lirinë e shprehjes. Ajo ka dhënë vërejtjet e saj kundër EULEX-it për aksionin e këtij misioni për të bastisur zyrat dhe banesën gazetarit Milaim Zeka. “Krimi më i madh po bëhet nga ata që po bëjnë presion ndaj dëshmitarëve që të thurrin dëshmi të pabaza”, ka thënë Musli dhe ka kritikuar Prokurorin Maurizio Salustro.

Teuta Sahatçiu ka dhënë vërejtje që komisioni parlamentar për pensionet më shumë është angazhuar për çështje tjera sesa për atë që është angazhuar: që pensionistët kosovar të nxjerrin pensionet nga Serbia. Ajo thotë që vetëm 38 pensione janë ardhur deri tash nga Serbia, si rezultat i punës së këtij komisioni.

“Mendoj që kjo po ndodh në mungesë të vullnetit të Kryeministrit Thaçi për ta zgjidhur këtë situatë”, ka thënë Sahatçiu.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës i shprehin ngushllime familjes Olldashi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën që është thirrur për të diskutuar për buxhetin e viti 2014, ende janë duke shfrytëzuar të drejtën e fjalës vetëm për të shprehur ngushëllimet për vdekjen e deputetit shqiptar, Sokol Olldashi.

Kuvendi flet për buxhetin e vitit 2014

Kuvendi i Kosovës vazhdon me seancën e radhës ku do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për Buxhetin e vitit 2014. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se do të votojnë kundër këtij projektligji, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pritet që sot të vendos se a do të votojnë pro apo kundër.

Ndërsa, Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se buxheti përmbush të gjitha premtimet që janë dhënë gjatë fushatës. Ai, madje, ka pohuar se ata i kanë numrat dhe se buxheti do të kaloj.

Po ashtu, gjatë kësaj seance pritet të shqyrtohet Projektligji për sistemin e lejeve dhe licencave, si dhe Projektligji për Fshatin Zymi i Hasit.

Në këtë seancë do të diskutohet edhe për rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2014.

Leave a Reply

Your email address will not be published.