Dega e Partisë Demokratike në Gjilan, nëpërmjet një komunikate për mediat ka akuzuar Spitalin Regjional në Gjilan për mungesë transparence gjatë tenderimit. PDK në Gjilan thotë se ka informacione për një pagesë prej 50 mijë eurove të bërë nga ky spital që shkel ligjin e prokurimit dhe ligjin për financat publike.
“Sipas informacioneve të konfirmuara, Spitali Regjional i Gjilanit ka bërë një pagesë nga buxheti i saj, në vlerë prej 50 mijë euro duke shkelur plotësisht ligjin e prokurimit dhe ligjin për financat publike. Kjo pagesë është bërë në kundërshtim të plotë me procedurat, që do të duhej të respektohen nga secili institucion që shpenzon paranë publike nga Buxheti i Republikës së Kosovës” thuhet në komunikatë.
Sipas PDK-së, vizitat e zhvilluara nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në Spitalin Regjional të Gjilanit, kanë dhënë frytete e para, të cilat PDK-ja që ka koalicion me LDK-në në nivelin qendror, i ka quajtur fryte të keqmenaxhimit dhe keqpërdorim të buxhetit të këtij spitali nga ana e menaxhmentit.
“Vizitat e bëra nga ana e zyrtarëve komunal të Gjilanit dhe e vet kryetarit të komunës në spitalin regjional të Gjilanit ishin me virus dhe po japin frytet e para të efekteve në keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e buxhetit të këtij institucioni. Përvoja e dallaverëve me tenderë në komunën e Gjilanit, shumë shpejtë u transferua dhe përvetësua nga menaxhmenti i spitalit regjional të Gjilanit. Ishte aftësia e komunës për të bartur këtë përvojë të dallavereve me tenderë, apo ishte aftësia e menaxhmentit të spitalit që kaq shpejtë ta marr zanatin e tenderomanisë, nuk dihet ende”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, sipas PDK-së, Spitali Regjional i Gjilanit, kohë më parë i ka dhënë një tender kompanisë Ksosova MED shpk.,në vlerë prej 55 mijë euro, për furnizim me një aparat digjital të rëntgenit. Ky furnizim është bërë me shumë vonesë nga kompania e kontraktuar, si dhe ende pa u bërë pranimi teknik nga komisioni.
“Menaxhmenti i spitalit ka bërë pagesën në mënyrë të joligjore pa e bërë pranimin teknik komisioni përgjegjës, duke e ekzekutuar shumën prej 50 mijë eurove në llogari të kompanisë e cila ka qenë e kontraktuar. Si është e mundur të bëhet pagesa ende pa u bërë pranimi teknik, çka do të ndodhë nëse komisioni e vlerëson se ky aparat digjital nuk i plotëson kushtet e kërkuara sipas specifikacionit të dosjes së tenderit”, thuhet më tej në reagim.
PDK kërkon nga Prokurorisa Themelore në Gjilan që të të kryej detyrën e saj ligjore për të hetuar këtë rast, të cilin ne e konsiderojmë si vepër penale, sepse kemi të bëjmë me shkelje të rëndë ligjore me efekte të keqpërdorimit të buxhetit të taksave të qytetarëve të Gjilanit. /KosovaPress/