Dy institucione të rëndësishme të kulturës në vend, Galeria Kombëtare e Kosovës dhe Teatri Kombëtar, kanë në krye tash e sa kohë ushtrues detyre të drejtorit, kjo për shkak se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk ka hapur konkurse për këto pozita, me arsyetimin se nuk e di se a janë shërbyes civilë apo zyrtarë të lartë drejtorët e institucioneve kulturore.
I pyetur nga KosovaLive për këtë çështje këshilltari i ministrit të Kulturës, Ndue Ukaj, deklaroi se këto konkurse nuk do të hapen deri sa MKRS-ja të marrë përgjigje nga Ministria e Administratës Publike se në çfarë kategorie hyjnë këto pozita, në atë të shërbyesve civil apo të zyrtarëve të lartë.
“Kemi kërkuar nga Ministria e Administratës Publike që të na jap një shpjegim për dy pozitat, për atë të drejtorit të Galerisë Kombëtare dhe të drejtorit të Teatrit Kombëtar. Sapo të marrim përgjigje do të shpallim konkurset për këto dy pozita”, tha Ukaj.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Administratës Publike, Fitim Sadiku, thotë për KosovaLive se për tu hapur ky konkurs duhet pritur përgjigje nga Ministria e Financave që duhet të konfirmojnë se këto institucione kanë mjete financiare, në të kundërtën, ata nuk do të aprovojnë shpalljen e konkursit.
Nga sa u tha më lartë del se ekziston një lëmsh institucional dhe një sjellje në rrethin vicioz sa u përket përgjegjësive dhe kompetencave institucionale.
Në pritje për të marrë një prononcim edhe nga Ministria e Financave, KosovaLive, ka marrë vesh se më 30 tetor, Ministria e Administratës Publike ka marrë miratimin e Ministrisë së Financave se këto institucione kanë mjete financiare dhe ajo tani do t’i shpjegoi Ministrisë së Kulturës se në çfarë kategorie hyjnë këto pozita dhe mbase nuk do të zgjatë shumë dhe do të shpallet konkursi.
Pas skadimit të mandatit të drejtorit të fundit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, MKRS-ja pati propozuar tre kandidatë, punonjës të saj për të drejtuar këtë galeri, por Këshilli drejtues i GKK-së vendosi që mos ta respektoj këtë vendim të MKRS-së dhe të hap një konkurs publik, veprim ky i cili u përkrah edhe nga Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Kulturës, por jo edhe nga Ministria e Kulturës.
Në anën tjetër edhe në Teatrin Kombëtar çështja e pazgjidhur e drejtorit të përgjithshëm shihet si problem. Arian Krasniqi, dramaturg dhe kritik i teatrit, deklaroi për KosovaLive se ky vonim po e dëmton procesin e menaxhimit të mirëfilltë të teatrit dhe procesin e realizimit të programit.
“Zvarritja e shpalljes së konkursit për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të TKK-së është e pa arsyeshme dhe mendoj se e dëmton procesin e menaxhimit të mirëfilltë brenda këtij institucioni të rëndësishëm kulturor dhe e pengon procesin normal të realizimit të një program të suksesshëm artistik në këtë institucion. Sepse, fuqia ekzekutive dhe organizative e një ushtruesi detyre të drejtorit, në rrethana të tilla, është më e vogël sesa e një drejtori fuqiplotë dhe me mandat të plotë ligjor. Prandaj, është më se imediate që MKRS bashkë me Këshillin Drejtues të TKK-së të procedojnë më shpejt me konkursin dhe ta zgjedhin personin e duhur për të menaxhuar me TKK-në”, tha Krasniqi.
Sociologu Genc Xërxa mendon që këto ndërhyrje në institucionet kulturore, pavarësisht nga partia që është në pushtet, janë të dukshme dhe te dëmshme për këtë komunitet.
“Njëra prej segmenteve të domosdoshme dhe reprezentative në vend dhe jashtë tij është edhe përfaqësimi kulturor me të cilin shoqëritë e popujt shkëmbejnë dhe asortimojnë vlerat mes veti.
Por, po shihet se viteve të fundit ky segment social është bërë cak i sulmeve politike dhe në zgjedhjet nëpër borde apo drejtori pushteti po shtron ndikimin e vet dhe po bënë zgjedhjen dhe delegimin e përfaqësuesve kulturor duke anashkaluar vetë artistët apo shoqatat e dala nga asociacionet reprezentative profesionale të kësaj sfere, të cilët dinë më shumë dhe kanë kualitetet për përfaqësim dhe delegim në emër të artit dhe kulturës”, thotë Xërxa.
Ai mendon se duhet krijuar klimë që qeveritë të shkojnë e të vijnë , ndërsa institucionet kulturore të mos e vuajnë atë ndryshim në skenën politike dhe institucionale të Kosovës.
“Institucionet kulturore duhet të kenë drejtorë e borde që nuk janë të ndikuar nga politika, po deshëm kulturë të mirëfilltë. Tani secili e di se në zgjedhjen e drejtorit dhe bordeve të TKK-së, të Qendrës Kinematografikee gjetiu vërehet ndikimi i ministrit të Kulturës. Cilido ministër që vjen bënë emërime në emër të interesave dhe politikave ditore. Kjo e dëmton shumë komunitetin artistik, sepse të përzgjedhurit nuk janë adekuat në përfaqësimin profesional dhe përcjelljen e interesave të këtij komuniteti të kulturës”, tha Xërxa për KosovaLive.
Ai shtoi se mendon se komuniteti i artisteve duhet të te jetë i pavarur dhe autonom në udhëheqjen e tij dhe ministritë apo institucionet shtetërore duhet të jenë përkrahës ne vendimet e tyre, e jo të bëjnë ndërhyrje politike apo delegime partiake, pasi përpos vetë këtij grupi social të artisteve dhe njerëzve të kulturës nuk i njeh askush përparësitë dhe të metat me të cilat ky komunitet duhet marr.
Njerëzit e artit, sipas tij, janë edhe ambasadorët më të mirë të një shoqërie dhe duhet përkrahur dhe stimuluar e jo penguar me ndërhyrje nga joprofesionistet dhe matrapazët pseudo-kulturor.