Dega e Partisë Demokratike në Prishtinë dënon ashpër sulmin ndaj Memli Krasniqi, anëtar i Kryesisë së PDK-së në Prishtinë dhe njëherësh ministër i Bujqësisë,Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nga grupe të organizuara anarkiste që kanë gjetur strehë dhe prehje në gjirin e e subjektit politik Vetëvendosje, njofton kumtesa partiake.
Është e neveritshme, e gërditshme dhe e pashembullt sjellja dhe veprimet e grupeve të orkestruara, të ushqyera dhe të urdhëruar nga drejtuesit e një subjekti politik që dita ditës po shfaq fytyrën dhe “kauzën” e tyre të vërtetë- kauzën e epshit të shfrenuar për pushtet.
Partia e Demokratike e Kosovës Dega në Prishtinë, kërkon nga organet e drejtësisë që ta përmbushin obligimin e tyre ligjor e kushtetues ndaj kujtdo që abuzon me ligjin dhe cenon integritetin e qytetarëve apo zyrtarëve publikë në Republikën e Kosovës.
Është e drejtë e çdo qytetari të shprehë pakënaqësitë apo mendimin e tij, por asnjëherë nuk duhet të tolerohen që në emër të demokracisë të shkelen të drejtat,dinjiteti dhe të rrezikohet jeta e tjetrit.
PDK – Prishtinë apelon për maturi e dinjitet tek subjektet politike që me veprimet e veta janë bërë sinonim i së keqes, duke transmetuar në botë imazhin më të keq për shtetin dhe qytetarët tanë, pa llogaritur dëmin që i shkaktojnë të sotmes dhe të ardhmes sonë euroatlantike, përfundon kumtesa .