Dega e PDK-së në Ferizaj në një konferencë përmbyllëse për këtë vit, duke vënë në spikamë angazhimet e saj dhe kontributin për qytetarët dhe qytetin, ka vlerësuar se edhe gjatë këtij viti pushteti lokal në këtë komunë është karakterizuar me shkelje të ligjeve, keqqeverisje, mosefikasitet etj.
“Gjatë këtij viti, struktura të degës së PDK-së janë munduar që me veprim dhe dinamikë të bëjnë sa më të mundur realizimin e rolit tonë si parti opozitare dhe që gjithnjë me konstruktivitet të kontribuojmë në transparencën më të madhe të institucioneve komunale, në zhvillimin e projekteve, ekonomisë e mirëqenies sociale si dhe të fushave të tjera. Prandaj, duke pasur parasysh gjithë kontributin dhe duke vlerësuar të suksesshëm punën dhe angazhimin tonë në rolin dhe detyrat që kemi, duhet të falënderoj të gjithë për punën dhe angazhimin që kane pasur”, ka thënë kreu i degës, Agim Aliu.
Aliu ka thënë se pavarësisht këtij roli, PDK nuk ka mundur të ketë ndikimin e duhur që jeta e qytetarit të Ferizajt të jetë edhe më e mirë dhe me pritjet që ata dhe ne kemi pasur, sepse “nuk e kemi vendimmarrjen, ndërsa qeverisja e Ferizajt po jep shembullin më të keq sa i përket këtij angazhimi, sepse po e përfundojmë edhe një vit dhe jeta e qytetarit tonë po rëndohet sepse kemi më pak zhvillim e mirëqenie sociale dhe ngecje e moszhvillim në shumicën e fushave”.
Sipas Aliut, kjo po ndodh për shkak të kryeneçësisë, arrogancës e udhëheqjes përmes militantizmit dhe interesave të ngushta politike dhe familjare të pushtetit aktual.
“Ata kanë shpërfillu konstruktivitetin tonë dhe interesin qytetar, madje duke u udhëhequr nga kjo mendësi, agjenda ditore e kësaj qeverisjeje është bërë shkelja e ligjit, mostransparenca, mosefikasiteti e mosefektiviteti, keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi i parasë publike”, ka thënë Aliu.
Në PDK kanë vlerësuar se Ferizaj ka marrë tatëpjetën, sepse tashmë shumë të arritura dhe suksese të përbashkëta janë vënë në pikëpyetje duke filluar nga arsimi, shëndetësia, mirëqenia e zhvillimi dhe fushat tjera e deri te ajo që do të duhej të ishte fondament i punës së s ecilit prej nesh në institucione, pra respektimi i shtetit ligjor.
“Sot, kur shkelja e ligjit në Komunën e Ferizajt është rutinë, nga qytetarët çfarë të kërkojmë?”, ka pyetur Aliu.
Edhe në këtë konferencë përmbyllëse, zyrtarë të PDK-së kanë falënderuar qytetarët dhe gjithë ata që kontribuuan me vepra të tyre, përfshirë sportistët e artistët, që sipas tij kanë bërë që çdo ferizajas të ndjehet mirë.