Tani që Hashim Thaçi është zgjedhur president i ardhshëm, Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë një ofertë publike opozitës për të negociuar daljen nga kriza që e ka përfshirë vendin prej verës së kaluar, shkruan sot Koha Ditore.
PDK-ja edhe më parë është shprehur e gatshme për dialog me opozitën, por vetëm në Kuvendin e Kosovës. Por, për dallim nga koha kur Thaçi ishte kryetar partie, tani PDK-ja, përveçse thotë që është e gatshme të ulet në tavolinën e bisedimeve me opozitën, ka përfshirë edhe temat e mundshme “të kompromisit”.
“Vendit duhet t’i kthehet stabiliteti dhe PDK-ja është e gatshme të ulet në një tavolinë me opozitën për të diskutuar qoftë për reformën elektorale, zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli, ndryshimet kushtetuese, por edhe për temat e dialogut me Serbinë”, ka thënë të martën nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.