Partia Demokratike e Kosovës njoftoi se të enjten në orët e hershme të mëngjesit, katër persona të panjohur për aktivistët e nëndegës “Kodra e Trimave”, në një veturë të tipit BMW X5, ngjyrë hiri, me tabela të regjistrimit 04*103*BO, kanë kërcënuar me armë zjarri ekipin e PDK-së në lagjen “Kodra e Trimave” dhe ua kanë shkatërruar materialin e fushatës zgjedhore, që kanë qenë duke e vendosur nëpër lagje.
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, dënon ashpër këtë akt kriminal dhe apelon te elektorati i të gjitha subjekteve politike, që të tregojnë pjekuri e maturi dhe të mos e devijojnë mbarëvajtjen e deritashme të fushatës elektorale, e cila dëshmon sjellje dhe pjekuri të lartë politike dhe civilizuese.
Gjithashtu, dega e PDK-së në Prishtinë, apelon edhe tek organet e sigurisë, që të zbardhin sa më shpejt rastin dhe bartësit e këtij akti kriminal të vihen para drejtësisë.