Labinot Balaj
Deklaratat e njërit prej deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, që kryeministri duhet t’i takoj atyre, e jo LDK-së si dhe zhvillimet e fundit, nga analistët politik po shihen si një lojë e partisë më të madhe në vend, dhe si një situatë që më së shumti po i konvenon partisë së drejtuar nga Hashim Thaçi.
Analisti politik, Ilir Ibrahimi në një prononcim të dhënë për Gazetën Blic ka theksuar se koalicioni PDK- LDK është krijuar për të dalë nga kriza.
“Koalicioni aktual që nga fillimi ka qenë një koalicion për të dalur nga kriza dhe jo ndonjë koalicion i cili është ndërtuar si rezultat i zgjedhjeve. PDK edhe pse fituese e zgjedhjeve, duke parë se nuk kishte mundësi të gjente ndonjë partner tjetër për të formuar qeverinë, u detyrua të bënte koncesione ndaj partnerit duke i dhënë udhëheqjen e qeverisë, që në këtë rast ishte LDK”, ka thënë Ibrahimi për Gazetën Blic.
Sipas Ibrahimit, edhe pse pa ndonjë mundësi tjetër, PDK me vetë dëshirë kishte vendosur të bënte këtë koncesion.
“Nëse ka ndonjë pishmanllëk në radhët e kësaj partie, atëherë këtë duhet të ja bëjnë me dije partnerit të tyre të koalicionit dhe të shihet se si mund të shkohet më tutje”, ka thënë ai.
Ibrahimi deklaratat e deputetit të PDK-së, Rrustem Mustafës se PDK duhet të udhëheq me qeverinë i sheh si një lojë politike.
“Por këto lojëra politike, e kanë lodhur qytetarin, e kanë lodhur shtetin, dhe e kanë dërmuar ekonominë prandaj duhet pasur kujdes se sa larg mund të shkohet me to”, thotë ai.
Sipas tij, nuk duhet harruar se partitë politike garojnë për të marrë pushtetin, dhe të qeverisin në të mirë të qytetarëve, pa dallim përkatësisë partiake.
“Nëse partitë politike veprojnë vetëm në interes të tyre, gjë që është shumë evidente sidomos kohëve të fundit, dhe te të gjitha partitë politike, atëherë nuk ka dyshim se qytetari herët ose vonë do ti dënoje ata me votën e tij”, shton Ibrahimi.
Në anën tjetër, analisti politik, Imer Mushkolaj thekson për Gazetën Blic se pikërisht partisë së Hashim Thaçit i konvenon më së shumti situata e krijuar në vend.
“PDK-së i konvenon më së shumti situata e krijuar në Kuvend dhe është partia që po ndihet më komode në këtë rast. “Shigjetat” e opozitës janë të drejtuara ndaj Isa Mustafës. Duke mos reaguar sipas rregullores, Kadri Veseli po krijon mundësinë që Mustafa dhe LDK të denigrohen sa më shumë, ndërkohë që po synon ta dëmtojë edhe opozitën, duke ia lënë duart e lira për veprime çfarë i kemi parë së fundi në Kuvend, veprime këto që në sytë e qytetarëve njollosin imazhin e saj”, ka thënë ai për Gazetën Blic.
Edhe deputeti i LDK-së, Bardhyl Meta i ka komentuar deklaratat e Remit. Ai i ka quajtur këto deklarata si hamendësime.
Madje, sipas tij, këto hamendësime të Remit, janë ide dhe qasje joserioze./ Gazeta Blic