Pritën për ta festuar ndërrimin e moteve, por përfunduan duke kërkuar ndihmë në Qendrën Emergjente të QKUK-së, pasi morën lëndime nga mjetet piroteknike.
Vetëm brenda 40 minutave, në Emergjencë kanë kërkuar ndihmë 15 pacientë, ku në mesin e tyre ishte edhe 2-vjeçari, i cili ishte lënduar nga një plumb qorr deri sa po festonte në shesh me prindërit e tij.
Mjeku kujdestar, Avdush Bajgora, ka treguar se 2-vjeçari është goditur në këmbë dhe sipas tij plumbi ka mundur të prek edhe organet e ekstremitetit. Megjithatë, Bajgora tha se pas ndërhyrjes mjekësore fëmija do të lirohet për në shtëpi.
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Curr Gjocaj, ka apeluar te qytetarët që të festojnë në mënyrë dinjitoze. Curri tha se gëzimi i tepërt në formën jo të duhur mund të sjellë pasoja me fatalitet.
Ndërsa, Policia e Kosovës ka vlerësuar se festa e Vitit të Ri këtë vit ka kaluar me më pak incidente dhe në mënyrë më të qetë krahasuar me vitin e kaluar.