Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në Kosovë janë zbuluar rreth 750 raste të reja të personave të prekur me kancer.
Zyrtarë shëndetësorë thonë se prej këtij viti ka filluar të mbahet evidenca e kësaj sëmundjeje, meqë ka munguar.
Behxhet Osmani, ushtrues detyre i drejtorit të Institutit të Onkologjisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se brenda ditës ndihmë mjekësore në këtë institut kërkojnë 80 deri në 180 pacientë, përderisa 40 të tjerë janë duke kryer rrezatimin në shërbimin e radioterapisë.
“Numri i pacientëve brenda ditës që frekuentojnë institutin onkologjik është mbi 80 deri në 180 persona. Kapacitete kemi. Janë 17 mjekë që punojnë në institutin onkologjik dhe çdo pacient që vjen, merr shërbime aty”, thotë Osmani.
Sipas tij, konsiliumet mjekësore funksionojnë çdo ditë dhe për rastet e sëmundjes vendosin 3 onkologë, e po ashtu ka edhe specialistë të lëmive përkatëse, varësisht nga lloji i tumorit që kanë pacientët.
Ai shton se me përkrahjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, po punohet me 2 ndërrime në radioterapi dhe kimioterapi.
Ndërkaq zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se këtë vit janë kompletuar në tërësi shërbimet në Institutin Onkologjik.
Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se ky institucion ndan çdo vjet nga rreth 5 milionë euro nga buxheti i përgjithshëm për barna, vetëm për ato që shërbejnë për trajtimin e sëmundjes së kancerit.“Buxheti që ndahet për barna për sektorin publik në Kosovë nuk i mbulon gjitha nevojat për barna, material shpenzues, për ato kategori që kanë nevojë për terapi. Ministria e Shëndetësisë i jep prioritet trajtimit të sëmurëve me kancer dhe një pjesë e madhe e buxhetit i dedikohet kësaj kategorie”, thotë Hoti.
“Çdo vit Ministria e Shëndetësisë ndan prej 4 deri 5 milionë euro për citostatik, e që ka e dhe donacione pikërisht për këtë sëmundje, shihet që mbulimi i kësaj kategorie është me prioritet por që prapë nuk i mbulon gjitha nevojat për shkak të kufizimeve që ekzistojnë”, shton ai.
Por këtë vit, për dallim nga ato parapraket , sipas zotit Hoti, po mbahet evidenca e sëmundjes së kancerit, duke shtuar se gjitha institucionet shëndetësore, publike dhe private, po raportojnë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për sëmundjen e kancerit.
Ai flet edhe për kushtet që ofrohen në Institutin Onkologjik.
“Numri i madh i pacientëve flet edhe për ngritjen e vetëdijes shëndetësore por edhe rritjen e nivelit të diagnostikimit, por flet edhe për rritjen e shërbimeve në këtë institut. Vitet e kaluara kemi pasur vetëm një onkolog që ka ofruar shërbime nga kimioterapia, sivjet situata është krejt ndryshe. Instituti ka 11 onkologë të tjerë dhe futja në shërbim e radioterapisë”.
“Sivjet ka filluar edhe raportimi i sëmundjes, dhe në bazë të dhënave që ka mbledh Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë regjistruar 735 raste të reja të kancerit të të gjitha llojeve, derisa numri më i madh i sëmundjeve malinje janë ajo e gjirit si dhe të lëkurës që po dominojnë”, shprehet Hoti.
Sidoqoftë zyrtarë shëndetësorë thonë se edhe në klinikën e Radiologjisë, po punohet me dy ndërrime me aparatin e mamografisë, dhe sipas tyre lista e pritjes për pacientë, nuk është e gjatë ashtu siç ka qenë më herët kur punohej vetëm në ndërrimin e parë.