Nëse Ramadan Zejnullahu vendos të ankohet në MAShT për shkarkimin e tij nga Këshilli Drejtues, gjasat më të mëdha janë që ministri Bajrami ta kthejë atë në postin e tij.
“Unë do ta takoj nesër në mëngjes rektorin Zejnullahu. E inkurajojë që ai ta përdorë të drejtën ligjore për ta kontestuar vendimin. Unë e di që nga sot se janë bërë shkelje procedurale pasi nuk është njoftuar fare anëtari austriak i Këshillit. Qëndrimi im dhe ai i qeverisë është i qartë në përkrahje të Zejnullahut, dhe besoj se gjërat nuk zgjidhen me shkarkime”, ka thënë Bajrami në një intervistë në Interaktiv, pak orë pas shkarkimit.
Ai ka treguar se Këshillit Drejtues i ishte bërë e qartë se nuk duhej shkarkuar Zejnullahun.
Ministri i Arsimit ka thënë se protesta e paralajmëruar për nesër është e panevojshme.
Ai ka bërë thirrje që rektori e Senati të punojnë bashkë deri në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në maj të vitit të ardhshëm.