Lajmet e fundit

Për çfarë të protestohet?

Shpëtim Selmanaj
Kosova po e përmbyll vitin e parë të qeverisjes në mes të koalicionit PDK – LDK. LDK-ja, konkretisht Isa Mustafa, është kryeministër virtual i kësaj qeverie. Nuk është kurrfarë sekreti që kryeministër i mirëfilltë, edhe pse nën hije, është lideri i PDK-së, Hashim Thaçi. Nëse shikojmë mbrapa dhe kujtojmë vetëm mënyrën se si lideri i LDK-së, pas ngërçit prej gjysmë viti, brenda natës ndërroi palët dhe nga aleati i bllokut LVAN u hodh në gjirin e PDK-së, mbi kurrizin e së cilës kishte ardhur në krye të LDK-së (me akuzat për “SHIK-un” dhe “krimin”), doli që Mustafa jo vetëm se ishte pjesë e SHIK-ut vetë, por në fakt e tërë veprimtaria e tij kishte qenë një farsë. Gjynah që këtë gjë s’e kishin hetuar më parë udhëheqësit e tjerë të opozitës dhe vetë anëtarësia e LDK-së, sepse mënyra se si Mustafa ka funksionuar prej periudhës kur u bë “kryeministër” (duhet ta fusim në thonjëza këtë shprehje, sepse Mustafa është vetëm një kukull në duart e dy shefave të tij, Thaçit e Veselit) na sjellë te konkluza tashmë e njohur. Ky koalicion u sponsorizua nga ndërkombëtarët dhe u pranua nga udhëheqësit e PDK-së e të LDK-së për tri arsye. E para, që të formohet Gjykata Speciale; E dyta që të arrihet marrëveshja për themelimin e “Zajednicës”; E treta, që një hise e madhe e territorit të Bjeshkëve të Rugovës në Dukagjin t’i dorëzohet Malit të Zi. Janë vetëm këto tri projekte madhore, thellësisht të dëmshme për Kosovën, të tashmen, sidomos të ardhmen e vendit, ato që do të mund të quheshin “të arriturat” kryesore të këtij koalicioni. Thjesht nuk është e nevojshme këtu t’i shtrojmë faktet tashmë të mirënjohura, që gjendja e jetesës së qytetarit të Kosovës në një periudhë kohore prej gati një viti vetëm sa është vështirësuar. Korrupsioni dhe krimi i organizuar vetëm sa janë rritur. Kostoja e jetesës për secilin vetëm sa është ngritur. Ndërhyrja, përkatësisht shtrirja e dorës së pushtetit në arsim (shih Universitetin), shëndetësi, ekonomi, financa e deri në kulturë, vetëm sa është bërë më brutale – me punësime të paligjshme, tenderomani që s’ia gjen shoqen as në Afrikë e deri tek mënyra se si Mustafa mundohet ta shesë si “sukses” kur ndan 23 milionë euro për pensionistët, por në të njëjtën kohë nuk e thotë që pensionet e qytetarëve nuk do të rriten as një për qind. Kosova me koalicionin aktual, në vend se ta fillonte rrugëtimin në proceset e liberalizimit të vizave, vetëm sa u bë njollë e zezë në Evropë, kur drejt saj prej tash një viti kanë ikur gati qindra e mija qytetarë për të kërkuar “azil” në rrethana të paqes, por të pashpresë në një vend të krimit të organizuar qeveritar nga ky koalicion dhe klikat e tij politike. Në këto rrethana nuk ka pasur dhe nuk ka rrugë tjetër që partitë opozitare të bashkohen dhe të provojnë të rezistojnë para “numrave” të mëdhenj të koalicionit PDK – LDK. Kritikat e jo pak analistëve, se opozita po bën mirë që po proteston, por agjenda e zgjedhur prej saj (“Zajednica” dhe Demarkacioni) është e gabuar, mund të jenë mbase të drejta. Por, ja që askush prej kritikëve s’po e jep alternativën se për çfarë do të duhej të protestonin VV-ja, AAK-ja e Nisma, nëse jo për këto tema, të cilat edhe janë të vetmet për të cilat kjo Qeveri ka punuar dhe po punon. Opozita është poli i kundërt i pozitës. Puna e Qeverisë duhet të kritikohet dhe asaj duhet t’i rezistohet. Dhe e vetmja “punë” që kjo Qeveri deri më tashti ka bërë (pos punësimit të militantëve dhe tenderëve për bosët e ekonomive partiake) janë Gjykata Speciale, “Zajednica” dhe Demarkacioni. Të tjera “ngjarje” kjo Qeveri s’ka prodhuar. Apo mendojnë analistët që opozita duhet të fillojë të protestojë edhe për të arriturën më të madhe të Qeverisë: që Isa Mustafës t’ia mbyllë faqen e profilit zyrtar në “Facebook”?

Leave a Reply

Your email address will not be published.