Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), shpalosi programin e projektit tradicional “Javët e Biznesit Kosovar 2013″, e cila fillon më 25 nëntor dhe përfundon më 26 dhjetor. Ky aktivitet organizohet për të njëmbëdhjetën herë nga AKB-ja dhe në mbështetje të institucioneve dhe në të cilin pritet të marrin pjesë mbi 100 kompani vendore me më shumë se dy mijë prodhime të ndryshme.
“AKB-ja, përmes ‘Javëve të Biznesit Kosovar’, tenton të ndërtoi kanale të reja komunikimi në mes prodhuesve vendës dhe konsumatorëve. Projekti u jep bizneseve vendëse një kredibilitet të ri në tregun vendës dhe shtytje për ngritje të shkallës së eksportit”, tha kryetari i AKB-së Agim Shahini.
Sipas tij, objektivat e projektit janë ngritja e vetëdijes së konsumatorëve për prodhimet vendëse. Përmirësimi i komunikimit në mes të konsumatorëve dhe prodhuesve vendës. Përmirësimi i politikave ekonomike për krijimin e një mjedisi më të favorshëm. Komunikimi i vazhdueshëm në mes të institucioneve qeveritare, sektorit privat dhe joqeveritar dhe promovimi i standardeve të cilësisë së prodhimeve vendëse.
“Edhe përkundër politikave jo të favorshme ekonomike, prodhuesit vendës po ia dalin të mbijetojnë. Bizneset e kanë obligim moral e ligjor që të prodhojnë produkte cilësore sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Shahini.
Ai shtoi se duhet të bëhen reforma të politikave në mënyrë që prodhuesit të jenë të barabartë me importuesit e jashtëm. Sipas kryetarit të AKB-së, duhet që të ndalin eksportin e parave të gatshme dhe të zëvendësojnë atë me eksportin e prodhimeve të Kosovës.
Nga ana tjetër Gani Koci, zëvendës ministër i Zhvillimit Ekonomik, përgëzoi AKB-në për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për konsumimin e prodhimeve të Kosovës dhe e cila po ngrit zërin e bizneseve në Këshillin për Zhvillim Ekonomik për lehtësira. Sipas tij prodhimet vendore i plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare. “Ne si ministri kemi bërë përpjekje që të përkrahim biznesin vendës. Është mirë që të ketë sa më shumë shoqata të biznesit”, tha zëvendësministri Koci.
Lumnije Ajdini, menaxhere e AKB-së tregoi se projekti përmban një program me karakter provues të prodhimeve vendëse. AKB-ja, me këtë projekt, sipas saj, synon që të ndikoi në përmirësimin e esencial të mjedisit afarist në Kosovë.
Gjatë realizimit të projektit do të ketë aktivitete të ndryshme. Projekti nisë me 25 nëntor në Prishtinë në Hotel Grand, për të vazhduar me 26 në Prizren, me 27 në Pejë dhe me 29 në Mitrovicë. Gjatë kësaj kohe do të ketë edhe tryeza në favor të bizneseve, vizita nëpër fabrika e aktivitete tjera të rëndësishme. Do të ketë promovime në pesë shtetet mbarë shqiptare.