Lajmet e fundit
Për PTK-në nuk diskutohet as në seancën e radhës

Për PTK-në nuk diskutohet as në seancën e radhës

Kuvendi i Kosovës mban të enjten seancën e re, pa dy pikat diskutabile që janë kërkesa e pozitës për shqyrtimin e raportit të qeverisë për privatizim e PTK-së dhe kërkesa e opozitës për formimin e komisionit hetimor për privatizimin e PTK-së. Në rend ditë do të jetë shqyrtimi i projektligjit për buxhetin, për të cilin opozita paralajmëron se nuk do ta mbështes.

Edhe seanca e radhës e Kuvendit do të mbahet pa çështjen e PTK-së. Sikur raporti i Qeverisë për Shitjen e 75 përqind të aksioneve të PTK-së, ashtu edhe nisma e opozitës për krijimin e komisionit hetimor për shitjen e kësaj kompanie, kanë mbetur jashtë rendit të ditës.

Kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi tha se të enjten do të jetë seancë e re, derisa për çështjen e PTK-së thotë se duhet marrëveshje mes partive politike.

”Do të jetë një seancë e re, pa dy pikat që kanë mbetur për tu diskutuar dhe do të debatohet pika kryesore që do të jetë shqyrtimi i parë i projektligjit për buxhetin e vitit 2014”.

Ndërkohë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci është i bindur se ka numra të mjaftueshëm për votimin e buxhetit. Ai tha se ky është buxheti i zhvillimit ekonomik.

Kurse shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se partia që ai përfaqëson do të votojë kundër këtij projektligji pasi që buxheti për vitin 2014 është jo zhvillimor.

Paralajmërim për kundërshtim të buxhetit vjen edhe nga shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri. Ndërsa AAK do të vendos brenda javës se si do të votojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.