Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona për sulm me ngjyrë ndaj veturës zyrtare të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.
Aktivistët e Vetëvendosjes kanë kryer dje këtë sulm me ngjyrë ndaj Abrashit që njëherësh është edhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Ishte raportuar për një të arrestuar. Por Policia e Kosovës në raportin e 24 orëve tregon për dy të arrestuar. Abrashin aty e quan viktimë.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K-Shqiptar pasi që të njëjtit kanë sulmuar me shishe xhami me ngjyrë automjetin zyrtarë që drejtohej nga viktima mashkull K-Shqiptar. Me urdhër të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raport.
Aktivistë të VV-së, mbrëmë kanë sulmuar veturën e Abrashit, si reagim të deklaratës së tij, i cili ka thënë se veprimet e aktivistëve të Vetëvendosjes janë si ato të ISIS-it.