Manlio Graziano, historiani dhe publicisti i njohur në një intervistë të dhënë pak kohë më parë për Top Show-n i bën një analizë asaj ç’po ndodh sot me shoqërinë franceze dhe si e sheh të ardhmen e përplasjeve fetare.
Manlio Graziano, një nga emrat më të njohur në studimin e gjeopolitikës, e sheh problemin e asaj ç’po ndodh sot në Francë në rrënjët historike. Duke folur për një ndarje të shoqërisë franceze në dy grupe gjatë një interviste disa javë më parë në “Top Show”, profesori i Sorbonës, që ndan jetën në Paris, parashikoi në një farë mënyre, një thellim të këtij hendeku, si krizë e një identiteti politik. Graziano ishte vetëm pak kohë më parë në Shqipëri ku promovoi librin “Lufta e shenjtë dhe e shenjta aleancë”, botuar nga shtëpia botuese “Saras”.
Libri “Lufta e shenjtë dhe e shenjta aleancë”, libri që ju promovuat në shqip nga botimet “Saras” ka dalë në librari vetëm disa ditë pas ngjarjeve që ndodhën në Paris në revistën “Charle and Hebbdo”. E patët tundimin t’i ktheheshit librit për ta rishikuar pas asaj ngjarjeje?
Praktikisht jo. Ky nuk është një libër i momentit, por një libër përsiatje gjeopolitike dhe gjeopolitika praktikisht vepron mbi dukuri të një jetëgjatësie të madhe. Ajo çfarë ndodhi në Paris sigurisht meriton një reflektim të vogël, por mund të themi kjo është vetëm një pjesë e vogël e këtij libri. Pasi në këtë libër është një kapitull që lidhet me terrorizmin, terrorizmin fetar, por unë, mendoj se ajo që ndodhi në Paris nuk mund as të quhet as edhe një dukuri e terrorizmit fetar, por një ngjarje e realizuar nga një grup individësh që kanë probleme psikike.
Keni thënë që ata duan një psikiatër?
Në realitet problemi është më i gjerë. Ekziston një problem, që lidhet me shkëputjen e një pjese të popullsisë franceze me pjesën tjetër të shoqërisë. Natyrisht, kjo shkëputje ose sociopati nuk mund të zgjidhet duke shkuar e duke vrarë njerëzit, por problemi ekziston. Politikisht ajo që ka rëndësi, e ka hedhur dritë mbi këtë atentat, është fakti që një pjesë e shoqërisë franceze e cila nuk e njeh veten në ideologjinë laike zyrtare të vendit, e që mendon që feja meriton një respekt të veçantë, edhe përtej aspekteve juridike të çështjes. Juridikisht liria e shprehjes është e garantuar e ata thonë jo, se ka disa kufizime, aty ku ata ndiejnë që fyen në besimin tonë. Është e njëjta gjë që ka thënë edhe Papa në avion disa ditë më pas, ku u shpreh se “nëse dikush do fyente nënën e tij ai do e merrte me shpulla”.