Lajmet e fundit

Përfaqësuesit e Kosovës në Bruksel të jenë më të përgjegjshëm

Analistë politik vlerësuan të hënën për Telegrafin se pas gjithë kësaj se çfarë ka ndodhur me reagimin e opozitës për marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, kushdo që ta përfaqësojë Kosovën në Bruksel duhet të jetë më i përgjegjshëm pasi shoqëria kosovare ka filluar të piqet dhe nuk toleron papërgjegjshmëri të liderëve.
Analisti Dren Doli, tha për Telegrafin se e gjithë rruga që Qeveria e Kosovës ka përshkruar në procesin negociator mund të përshkruhet si fillim i një rruge të pakrye.

“E gjithë rruga që Qeveria e Kosovës ka përshkruar në procesin negociator në mes të saj dhe Qeverisë së Serbisë mund të përshkruhet si fillim i një rruge një drejtimshe dhe të pakrye. Mbetet rrugë një drejtimshe sepse Qeveria e Kosovës nuk njeh rrugë tjera alternative për të afruar komunitetin serb që jeton në Kosovë drejt institucioneve të Kosovës, prandaj rezistencën e tyre ndaj saj e zgjidh nëpërmjet Qeverisë së Serbisë, jo në Kosovë por larg saj, në Bruksel”, ka thënë ai.

Gjithashtu ai tha se “… procesi negociator me Serbinë dhe marrëveshjet me Qeverinë e saj nuk janë derivat i rrugës së arsyeshme që Kosova do duhej ndiqte, por përkundrazi, të asaj pakrye, dhe të bazuar në improvizimin si mjet për të fshehur mungesën e parimeve dhe përgjigjes se ku qëndron qëllimi që duam të arrijmë nëpërmjet dialogut”.

Doli poashtu theksoi se Thaçi e përdori negocimin për ta kthyer atë në mjet personal për promovimin e imazhit të tij.

“Natyrisht, nuk duhet fshehur që Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Thaçi, ka ngushtuar rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi, duke e degjeneruar atë në mjet personal i cili i shërbeu vetëm qëllimit të promovimit të imazhit të tij në raport me BE-në. Përkundrejt nevojës së Kosovës për stabilitet institucional dhe hapje të perspektivës së saj zhvillimore dhe integruese (të cilat duhej të ishin një ndër të paktat qëllime të dialogut), e ardhmja politike e personazhit ‘Thaçi’, dhe jo e Kosovës, ishin objektivat e dialogut”, shtoi ai , duke thënë po ashtu se kryeministri Mustafa do të vazhdoj të jetë peng i motiveve të tilla.

“Prandaj kthimi në normalitet i procesit të dialogut, qoftë edhe nëpërmjet të ndryshimit të kursit të tanishëm të tij, do të jetë mision i vështirë, sidomos në mungesë të një uniteti të brendshëm politik mbi kufijtë mbi të cilat dialogu dhe marrëveshjet nuk mund të kalojnë”, tha ai.

Ndërkaq, analisti Nexhmendin Spahiu, tha se politikanët e Kosovës nuk janë aspak të përgjegjshëm dhe se në vitin pasues kushdo që do ta përfaqësoj Kosovën në bisedime duhet ta kenë parasysh këtë gjë.

“Pas gjithë kësaj se çfarë ka ndodhur me reagimin e opozitës me Gjykatën Kushtetuese, kushdo që ta përfaqësoj Kosovën në Bruksel duhet të jetë më i përgjegjshëm pasi edhe shoqëria kosovare ka filluar të piqet”, tha Spahiu, duke shtuar se “ngjarjet që kanë ndodhur në Parlamentin e Kosovës, protestat dhe dhuna mund t’i duket e tmerrshme qytetarit të Kosovës, por në fakt kjo dëshmon një pjekje të klasës politike të Kosovës dhe në veçanti shoqërisë kosovare, e cila detyrimisht do ta bëjë më të përgjegjshme klasën politike të Kosovës”.

“Përfaqësuesit kosovar duhet të jenë më të përgjegjshëm sepse ajo që i ka karakterizuar është papërgjegjshmëria e liderëve tanë. Vetëm shihni Pakon e Planit të Ahtisaarit, sapo dëgjojmë deklaratat publike të politikanëve tanë kyç shihet që ata asnjëherë se kanë lexuar planin e Ahtisaarit jo vetëm tani, por gati tetë vite pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, nga ajo që deklarojnë në publik për gjërat që janë të lidhura me këtë çështje. Nuk kanë treguar seriozitet. Për vetë faktin që nënshkruajnë një marrëveshje që nuk e rrezikon Kushtetutën e Kosovës del që në marrëveshje ata imponojnë ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, e kjo tregon se ata ose nuk e kanë lexuar marrëveshjen ose nuk e kanë lexuar Kushtetutën”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.