Një milion e pesëqind mijë euro ka arritur t’i përfitojë brenda tetë viteve Nazmi Murturi nga uzurpimi i lokalit të ndërmarrjes shoqërore “Gërmia” në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, të cilin ia kishte lëshuar me qira bankës më të madhe komerciale në vend, “Pro Credit Bank”, shkruan në numrin e sotëm gazeta
Gjatë një hulumtimi disajavor, gazeta “Zëri” ka arritur ta zbulojë se Murturi kishte arritur marrëveshje për qira me “Pro Credit Bank” në gusht të vitit 2007, ku qiraja mujore për lokalin që nuk ishte pronë e tij arrinte shumën prej 10 mijë e 700 eurosh.
Një shumë të tillë të qirasë Murturi e kishte përfituar gjatë dy viteve të ardhshme, me ç’rast në xhirollogarinë e tij banka më e madhe në vend i kishte paguar rreth 257 mijë euro.
Sipas dokumenteve të shumta që posedon gazeta “Zëri”, pas dy viteve Murturi kishte arritur ta rrisë vlerën e qirasë mujore nga 10.700 euro në 12.600 euro dhe gjatë tri viteve në vijim, prej vitit 2009 deri në vitin 2012, ai kishte përfituar në mënyrë joligjore hiç më pak se 453 mijë e 600 euro nga qiraja e lokalit.
Çdo kontratë të re për qira mes dy palëve ishte shumë më e favorshme financiarisht për Murturin.
Kështu që në vitin 2012 qiraja mujore për këtë lokal ka arritur në 16 mijë e 200 euro, apo mbi 777 mijë euro ishin deponuar në llogarinë e tij nga viti 2012 deri në shtator të vitit 2015, kur Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) me asistimin e Policisë së Kosovë, përfundimisht kishte arritur ta largojë Murturin nga lokali i uzurpuar..