Lajmet e fundit
Përfundoi takimi: Thaçi e Dacic pajtohen për rivotim në veri

Përfundoi takimi: Thaçi e Dacic pajtohen për rivotim në veri

Pas përfundimit të takimit të sotëm në Bruksel në mes të kryeministrave Thaçi e Dacic, zyra e baroneshës Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e këtyre bisedimeve, ka lëshuar një komunikatë për medie, me qëndrimin e baroneshës Ashton rreth rrjedhës së takimit.

““Pata një takim shumë të mirë me kryeministrin serb Ivica Dacic dhe kryeministrin kosovar Hashim Thaçi. Jam e lumtur që të dy kryeministrat u pajtuan sot për hapat e mëtutjeshëm në përmbylljen e suksesshme të procesit elektoral në veri të Kosovës”, ka thënë Ashton në qëndrimin e saj pas takimit.

Baronesha Ashton, ka thënë se “autoritetet relevante në Prishtinë do të vendosin për elementet specifike të këtij procesi”.

Ajo ka shtuar, se “kryeministrat janë pajtuar që të vazhdojnë të punojnë në implementimin e marrëveshjes së prillit dhe se kanë konfirmuar vullnetin e tyre për të bërë gjithçka që është e për implementimin e plotë të saj”.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi, pas përfundimit të takimit, në konferencën me gazetarë, e ka cilësuar takimin si konstruktiv dhe të suksesshëm.

“Zhvilluam një takim konstruktiv, të suksesshëm. Vlerësuam suksesin evropian të Kosovës në këto zgjedhje, me organizimin e zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe me përfshirjen e të gjitha etniteteve. Tashmë KQZ-ja ka marrë vendimin për rivotim në 3 qendra ku kanë ndodhur incidentet. Pra, ishte konkludim i përbashkët që zgjedhjet e suksesshme të 3 nëntorit kanë legjitimuar marrëveshjen e arritur në Bruksel, për çka realisht është hapur një kapitull i ri – kapitulli evropian edhe për pjesën veriore të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi, pas takimit me Dacicin.

Duke folur për zgjedhjet, kryeministri ka rikujtuar së raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahen në gjithë Kosovën më 1 dhjetor:

“Nga 1 dhjetori do t‘i kemi edhe liderët legjitimë edhe në veri dhe Qeveria e Kosovës do të nisë bashkëpunimin e menjëhershëm për të ndryshuar jetën e qytetarëve atje për të mirë, sepse kemi edhe vlefshmëri dhe legalitet të plotë të zgjedhjeve”.

Ndërkaq, për marrëveshjen e arritur për doganat nga ana e dy delegacioneve, atij kosovar dhe delegacionit serb, ka thënë se është pjesë e obligimeve të dala nga Marrëveshja e Prillit:

“Lajm i mirë ishte dje marrëveshja e arritur për Doganat ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, e cila përfundimisht funksionalizon sistemin doganor të Republikës së Kosovës edhe në veri, si pjesë e obligimeve që kanë dalë nga marrëveshja në Bruksel”.

I pyetur nga gazetarët për datën e mbajtjes së rivotimeve në veri, Thaçi nuk ka saktësuar ndonjë datë, duke theksuar se kjo është kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Vendimi përfundimtar për datën e rivotimit është në autoritetin e KQZ-së dhe ne do ta mbështesim atë vendim, por, sipas ligjit, rivotimi duhet të jetë para raundit të dytë që do të mbahet më 1 dhjetor, në gjithë Kosovën”, ka deklaruar Thaçi.

Takimi i sotëm Thaçi – Dacic, u zhvillua në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa temë kyçe ishin zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, me theks të veçantë procesin në veri. /REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published.