Lajmet e fundit

Përgatituni për një vit të egër dhe të paparashikueshëm

Shkruan: Hugh Hewitt

Zgjedhjet presidenciale të vitit 2016

Nuk mund të parashikohen rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit

Sondazhi i fundit i CNN-it e ka vendosur Donald Trump-in në krye të garës së kandidatëve të Partisë Republikane, duke treguar që ai udhëheq me plot 20 pikë dallim ndaj ndjekësit të tij më të afërt, senatorit nga Teksasi, Ted Cruz – 38% me 18%

Politika presidenciale ka pushim për dhjetë ditë.

Të varurit nga politika, gjithandej nëpër vend, po pushojnë. Është kohë Krishtlindjesh dhe edhe ata po festojnë, duke e ditur që amerikanët nuk u kushtojnë shumë vëmendje kandidatëve në këtë periudhë viti, duke e ditur që votimet fillestare janë më shumë se një muaj larg. Sondazhet dhe thirrjet për t’i votuar do të vazhdojnë në javën e parë të vitit të ri.

Sondazhi i fundit, i bërë në dhjetor të vitit 2015, assesi nuk do të mund të parashikohej në janar të vitit 2015, kësisoj ne nuk mund ta parashikojmë rezultatin e nëntorit të vitit 2016, që është më shumë se dhjetë muaj larg. Mirëpo, sondazhi i fundit i CNN-it e ka vendosur Donald Trump-in në krye të garës së kandidatëve të Partisë Republikane, duke treguar që ai udhëheq me plot 20 pikë dallim ndaj ndjekësit të tij më të afërt, senatorit nga Teksasi, Ted Cruz – 38% me 18%. Dr. Ben Carson dhe senatori Marco Rubio kanë nga 10 për qind secili dhe kandidati që po përjeton një vrull në Nju-Hempshajër, guvernatori i Nju-Xhersit, Chris Christie, ka vetëm 5 për qind të mbështetjes.

Ne e dimë që më të filluar votimet dhe më t’u numëruar votat, sondazhet do të shndërrohen në pika referimi për herët tjera – pas katër ose tetë vitesh – kur mbërrijnë zgjedhjet tjera të brendshme. Mirëpo, për momentin, rezultatet e sondazheve përbëjnë material të mirë për biseda në tavolinat e shtruara për Krishtlindje.

Disa do t’i shtrëngojnë duart në shenjë pajtimi për udhëheqjen e biznesmenit nga Nju-Jorku. Të tjerët do ta mbrojnë Donald-in dhe do të thonë që ai ka qenë tejet i nevojshëm për ta ndryshuar kursin e politikën. Adhuruesit e Cruz-it do të flasin për inteligjencën e tij, ndërsa kritikët do ta quajnë atë tejet ambicioz.

Njerëzit, të cilët i shikojnë të gjitha emisionet televizive dhe i lexojnë të gjitha ueb-faqet politike, do të sjellin në tavolinë skenarë që marrin për bazë Rregullat Reince, që kanë të bëjnë me reformat e sjella nga kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, Reince Priebus, të cilat i kanë kontribuuar rregullimit të partisë pas kaosit në debatin e vitit 2012.

Të panjohurat e fushatës

Askush nuk e kishte parashikuar ngritjen e Trump-it dhe askush nuk mund t’i parashikojë pasojat e fitores së Cruz-it, që siç duket është duke u arritur në Ajova. Gjithashtu, askush nuk e kishte parashikuar vrullin që është duke e përjetuar Christie në Nju-Hempshajër. Një e panjohur e madhe është edhe performanca e kandidatëve në Karolinën Jugore, që tradicionalisht është një qendër shumë e rëndësishme për kandidatët republikanë.

Trump-i po udhëheq, mirëpo ai nuk po komandon dhe ne e dimë – nga rezultatet për zgjedhjen e guvernatorit të Kentakit, ku Matt Bevin ishte parashikuar të humbiste për katër ose pesë pikë, mirëpo kishte fituar me nëntë pikë dallim. Ne gjithashtu kemi mësuar edhe nga zgjedhjet në Britani dhe Izrael gjatë këtij viti, si dhe nga votat amerikane në nëntor të vitit 2014 që anketuesit nuk e kanë kuptuar përzierjen magjike mostrave dhe numrit të pjesëmarrjes në votime, për të qenë në gjendje të nxjerrin rezultate më të besueshme. Sondazhet ende nuk kanë arritur në nivelin e besueshmërisë që e gëzon shkenca e frenologjisë, mirëpo janë në rrugë të mirë.

Numri magjik është 1,237. Ky është numri i delegatëve të nevojshëm për ta nominuar një republikan në Klivlend në muajin korrik. Zgjedhjet në Ajova vënë në lojë 30 nga këta 1,237, Nju-Hempshajër sjellë 23, Karolina Jugore 50 dhe Nevada edhe 30 të tjerë. Nëse supozojmë që asnjëri prej kandidatëve nuk merr më shumë se gjysmën, numri më i madh i votave që një kandidat do të mund t’i marrë përgjatë gjithë muajit është 60 vota nga 1,237 të nevojshme. Me pak fjalë, të gjithë kandidatët do ta kenë të drejtën për të mos u dorëzuar dhe për t’i ndjekur gjurmët e kandidatëve që udhëheqin.

Politika dhe ragbi

Ndeshjet para-sezonale janë argëtuese për të gjitha ekipet e ragbit në ligën NFL, mirëpo e njëjta nuk mund të thuhet edhe për sezonin e rregullt. Realiteti i humbjes dhe fitores është edhe më i rëndë në politikë, pasi që për kandidatët nuk do të ketë ‘mundësi përmirësimi në vitin tjetër’, e për disa nuk do të ketë as ‘mundësi përmirësimi herën tjetër’.

Askush nuk e kishte parashikuar shuarjen e kampanjave të Jindal-it, Perry-t dhe Walker-it para një viti dhe një gjë që e dimë me siguri të plotë për nëntorin e vitit të ardhshëm është që askush nuk e di rezultatin, pa marrë parasysh guximin apo eksperiencën që ka në parashikime të tilla.

(Hugh Hewitt është avokat, profesor i drejtësisë dhe autor librash e udhëheqës i një emisioni në radio, që transmetohet në gjithë SHBA-në. Ai ka shërbyer në administratën e Reagan-it në poste të ndryshme, përfshirë këtu edhe punën si asistent i dy prokurorëve të përgjithshëm)

Leave a Reply

Your email address will not be published.