Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u shpreh sot se nuk do të lejojë që sigurimi të ndërhyjë në sallën e Kuvendit për aq kohë sa ai është kryetar i Kuvendit.
Kuvendi po përjeton ndër ditët më të rënda të funksionimit të tij 14 vjeçar pasi që partitë opozitare- Vetëvendosje, AAK dhe NISMA- nuk po lejojnë zhvillimin e seancave deri në plotësimin e kërkesës së tyre që kryeministri Isa Mustafa t’i tërheqë nënshkrimet nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq.
Një javë më parë, Veseli kishte reaguar ashpër, publikisht, kur pjesëtarët e sigurimit të afërt ndërhynë gjatë punimeve të seancës, në momentin kur kryeministri Isa Mustafa iu ekspozua vezëve të hedhura nga deputetët e opozitës.
Por çka thonë rregullat e vendosura për raste të tilla?
Neni 17 i Rregullores së Kuvendit të Kosovës përcakton përgjegjësitë e Kryetarit të Kuvendit. Ai propozon rendin e ditës së mbledhjeve, i thërret dhe i kryeson mbledhjet, i nënshkruan aktet e miratuara nga Kuvendi, kujdeset për rend e rregull në mbledhje dhe ushtron funksione të tjera.
Kur është fjala për rendin dhe rregullin e mbledhjeve të kuvendit, marrë parasysh zhvillimet e fundit të sulmeve të opozitës gjatë seancës plenare të kuvendit, shtrohet domosdoshmërisht pyetja se çfarë kompetencash ka kryetari, karshi përpjekjes për të vënë rregull dhe mbarëvajtje gjatë mbledhjes ?
Në nenin 40, rregullorja ia njeh të drejtën kryetarit që në rastin kur ai e vlerëson të arsyeshme mund t’ia lejojë deputetit të flasë më shumë se sa e ka kohën e caktuar, e kjo gjithmonë nëse kemi shqyrtim të projektligjit ose mocionit përmbajtësor, kurse paragrafi 4 i të njëjtit nen e parasheh se për një pikë të rendit të ditës deputeti mund të diskutojë vetëm një herë, me përjashtim të replikës.
Neni 41 i Rregullores parasheh që Kryetari i Kuvendit ka të drejtë t’ia tërheqë vërejtje secilit deputet ose anëtari të Qeverisë, në emër të rregullit dhe mbarëvajtjes së mbledhjes në Kuvend. Kjo mund të bëhet në raste kur deputeti ose anëtari i Qeverisë shmanget nga çështja e shtruar për diskutim, gjatë mbledhjes e kryen ndonjë veprim; prish rregullin e punës së Kuvendit; në mbledhje sillet në mënyrë të pahijshme dhe të palejueshme; ngrit një çështje që është jashtë temës së debatit ose të mocionit; në formë të shkruar ose të folur përdor gjuhë joparlamentare në mbledhjet e Kuvendit ose të komisioneve; nxit dhunë, përdor gjuhë të pahijshme, ofenduese, shpifëse, kërcënuese ose fyese, nuk e respekton autoritetin e Kryetarit të Kuvendit, sulmon ose u reziston punonjësve të Kuvendit ose policisë në Kuvend, të cilët veprojnë sipas urdhrit të Kryetarit të Kuvendit.
Nga kjo del qartë se ndërhyrja e policisë apo punonjësve të kuvendit (sigurimit), ndodh kur veprimin e tyre e lejon kryetari i Kuvendit nëse e sheh të nevojshme me rastin e përmbushjes së ndonjërës prej pikave të lartcekura, të cilat kohëve të fundit në Kuvend kanë ndodhur shpesh veçanërisht sjelljet e pahijshme, përdorimi i gjuhës joparlamentare dhe ofenduese.
Kur një deputet apo ministër, përdor gjuhë joparlamentare dhe Kryetari i Kuvendit e vlerëson si të tillë, e detyron deputetin apo ministrin që i përdori ato fjalë, t’i tërheqë. Deputetit apo ministrit pasi t’i tërhiqet vërejtja për sjelljen (qoftë ajo e tërheqjes së shprehjes, ndërprerjes së menjëhershme të fjalës apo largimit nga mbledhja e Kuvendit të asaj dite siç e parasheh paragrafi 3 i nenit 41), është i detyruar t’i respektojë urdhrat e Kryetarit.
Nëse kjo nuk është e mjaftueshme dhe janë të nevojshme veprime plotësuese që përfshijnë edhe ndërhyrjen e policisë (qoftë 1 apo më shumë), sipas Rregullores, Kryetari duhet të konsultohet me kryesinë para se të japë një urdhër të tillë.
Por nëse ndodh ndonjë parregullsi më serioze (të cilën rregullorja nuk ka përcaktuar se çfarë mund të jetë një e tillë), Kryetari ka të drejtë ta shtyjë mbledhjen apo ta pezullojë për një kohë të caktuar.
Rregullorja thotë se zyrtarët e policisë veprojnë sipas urdhrave të Kryetarit të Kuvendit dhe se Kryetari i largon nga mbledhja të gjithë personat që nuk i respektojnë rregullat e Kuvendit.
Dhe përfundimisht bëhet e qartë se sipas rregullores, Kryetarit të Kuvendit i jepen kompetenca të mjaftueshme për të përdorur masa ndaj kujtdo që me veprime të veta e pengon mbarëvajtjen e mbledhjeve të Kuvendit dhe se interpretimin përfundimtar të rregullores e bën Kryetari i Kuvendit gjatë mbledhjes plenare. Kallxo.com