Teatri Kombëtar i Kosovës nga Prishtina u nderuar në hapjet të edicionit XII të Festivalit tradicional “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, me shfaqen e autorit dhe regjisorit të shfaqjes, Ekrem Kryeziu, me titullin “Përplasjet”Me këtë shfaqje, në të cilën në rolet e personazheve u paraqitën aktorët Çuna Lajçi, Afrim Muçaj dhe Genta Ratkoceri, nderuar edhe publikun artdashës dibran, që për lakmi, sa herë që ka shfaqje në Dibër, ata dinë dhe duan ta mbushin sallën që edhe sonte ishte po ashtu përplot salla e Pallatit të kulturës.
Çuna Lajçi, Afrim Muçaj dhe Genta Ratkoceri, me mjeshtri përcollën deri tek publiku një histori nga e kaluara jo shumë e largët dhe e panjohur për spektatorin dhe mbarë popullin shqiptar, por që gjëra të tilla kanë përjetuar edhe popujt tjerë, që e bënë këtë shfaqje me një dimension më të gjerë, transmeton INA.
Fjala është për përjetimet nga burgu, ose nga burgjet famëkeqe për shumë individë e popuj gjatë të së kaluarës. Autori dhe regjisori Ekrem Kryeziu, në këtë tekst dhe shfaqe, ka përcjellë një pjesë të jetës dhe biografisë së tij që është shumë e ngjashme edhe me qindra e mijëra individ të tjerë, që kanë përjetuar tmerret e burgut, pa përcaktuar vendin, kohën, personazhet tjera, që mbase për ndonjërin edhe kishte dilema nga gjithë ajo që ndodhte në “burg” por nuk u panë dhe nuk u vërejtën gardianët apo zyrtar të tjerë. Jetën e individit idealist, komunistit dhe nacionalistit ai e shndërron në një konflikt brendapërbrenda qelisë së burgut, që në një shfrenim ose në një gjendje tejet emocionale për idealet e parealizuara, shndërrohet në kriminel vrasës.
E gjithë kjo, begatohet dhe pasurohet me “Evën”, në rolin e së cilës paraqitet aktorja mjaft liri dhe emancipim skenik. “Eva” është ëndrra e parealizuar të personazhit kryesor, Çuna Lajçit, që i parafytyrohet në imagjinatën e tij, në rrugëtimin e tij në ëndërr. Kryepersonazhi, , Çuna Lajçi, me një temporitëm të theksuar, me kondicion mjaft të madh, ia doli të bartë peshën më të madhe të kësaj shfaqe, që u pëlqye jashtë mase nga publiku por edhe nga kritika, në tryezën ë rrumbullakët që u zhvillua pas shfaqjes.
Vlen të theksohet se hapjen solemne të Festivalit në Dibër dhe përshëndeti të pranishmit dhe mysafirët, kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi lata, ndërsa drejtori i Festivalit, Ylber Nuredini theksoi se Festivalin materialisht pos komunës dhe donatorëve e ndihmojnë edhe “ELEM”-Maqedoni ndërsa Kompania operatore e telefonisë celulare “Albafon” do të ndajë çmimin për shfaqen më të mirë të Festivalit.
Pos shfaqjes “Përplasjet”, gjatë 5 ditëve të ardhshme në skenën e Pallatit të kulturës në Dibër do të ngjiten: Teatri “A.Z. Çajupi” nga Kora me shfaqen “Borgjezi fisnik”; nga Molieri, në regji të Erion Isait; I.N.Q.K. “Trajko Prokopjev”-Drama Shqipe-Kumanovë, me pjesën e Joe Orton, “Çfarë ka parë shërbëtorja” në regji të Kastriot Saqipit; Teatri Shqiptar nga Shkupi me pjesën “Paraja” e autorit Rei Kunei, në rgji të Ilir Bokshit; Teatri i Qytetit-Gjilan, me pjesën “Pacienti i Dr. FRojdit” të autorit Miro Gavran, në regji të Erson Zymberit; ndërkaq në ditën e fundit të Festivalit, do të paraqiten Teatri “Petro Marko” nga Vlora me pjesën e Laurent Baff-it, “Të gjithë me huqe” në regji të Eliona Thomaraj si dhe Universiteti i Arteve dhe Teatri Kombëtar-Tiranë, me monodramën e Dario Fo-së, “ Joan Padam dhe Amerikat” në interpretim të Arben Derhemit, në regji të Milto Kutalit.
Po ashtu këtë mbrëmje, do të paraqitet edhe aktori shqiptar nga Amerika, Pajazit Murtishi, me një pjesë të Ali Asllanit, ndërsa juria profesionale në përbërje prof. Dr. Selajdin Salihu, Milto Kutali dhe prof.Dr. Selimi Agimi, do të bëjnë vlerësimit për ti ndarë çmimet e Festivalit.