Lajmet e fundit

Pesë të arrestuar nga Kosova e Shqipëria për prostitucion

Tre shtetas të Kosovës dhe dy shtetase të Shqipërisë janë arrestuar në dy operacione policore në Mitrovicë dhe Pejë, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘trafikim me njerëz’ dhe ‘mundësim në prostitucion’, ku janë identifikohen edhe dy viktima të trafikimit.

Policia njofton se gjatë operacionit policor të realizuar në rajonin e Mitrovicës, është arrestuar një person, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale ‘trafikim me njerëz’ dhe ‘mbajtje në pronësi të paautorizuar të armës’ dhe ‘keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare’. Personi i arrestuar në këtë rast është M. S. i lindur më 1967.

“Lidhur me këtë rast janë identifikuar dy viktima të trafikimit, të cilat janë duke u trajtuar sipas procedurave standarde për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave. Gjatë këtij operacioni policor është bërë edhe kontrollimi i shtëpisë së të dyshuarit, ku në cilësi të provave materiale janë konfiskuar një armë (revole), një lap-top dhe dy telefona mobilë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Operacioni tjetër policor është realizuar në rajonin e Pejës, ku janë arrestuar katër persona, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale ‘mundësim apo detyrim në prostitucion’ dhe ‘marrje me prostitucion’.

“Personat e arrestuar në këtë rast janë N. Gj. i lindur më 1961,P. B. i lindur më 1992, N. K. shtetase e Shqipërisë e lindur më 1965, si dhe shtetasja tjetër e Shqipërisë me inicialet Zh. Q. e lindur më 1967”, thuhet në komunikatë.

Polica thotë se të gjitha veprimet policore janë kryer me autorizimin e prokurorëve përkatës, kurse ndaj pesë personave të arrestuar është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, për të vazhduar me procedurat e tjera hetimore./KosovaPress/

Leave a Reply

Your email address will not be published.