Kryetari legjendar me nënkryetarë të shumtë, inspektoi punimet në projektin për ndërtimin e kërcimores olimpike për sporte dimërore që pritet të finalizohet para fillimit të sezonit dimëror.
Qëllimi final i punimeve të cilat kanë filluar para më shumë se 45 ditëve tek dalja nga Prishtina në drejtim të Veternikut, është ndërtimi i kërcimores olimpike për sporte dimërore dhe objekteve përcjellëse turistike, ka thënë Partia e Fortë.
Në vizitën inspektuese të kryetarit Legjendar në sheshin e punimeve, poashtu është bërë e ditur se që nga 4 nëntori, pjesën përfundimtare të punimeve pritet ta marrë përsipër kompania tanimë e njohur në sektorin e ndërtimeve–Kompania Al- Petlla, kjo për shkak se faza finale kërkon ekspertizë të veçantë inxhinierie dhe profesionale.
Sipas projektit të përpiluar nga grupi i ekspertëve pranë Partisë së Fortë kërcimorja do të jetë më modernja në rajon dhe do ta shndërroj Prishtinën në atraksion të veçantë të turizmit dimëror.
Për më shumë, me mbylljen e përhershme të rrugës në drejtim të Shkupit, ky projekt do të ndikoj edhe në rritjen e qarkullimit dhe numrit të udhëtarëve në terminalin e ri të aeroportit të Prishtinës, gjë që e thekson edhe njëherë përkushtimin e Kosovës ndaj investitorëve të huaj.
Kryetari legjendar më tutje ka theksuar se tanimë qytetarët e Prishtinës nuk do të kenë nevojë që të shkojnë në Brezovicë, por edhe qeveria qendrore takimet për zhvillimin ekonomik të vendit nuk do të ketë nevojë t’i mbajë në vendet e jashtme si në Banjsko të Bullgarisë sepse pas përfundimit të kërcimores, vet bullgarët do të vijnë për takime të tilla në Prishtinë.