Policia e Kosovës pranë DRP Pejë kanë konfirmuar vrasjen e fëmijës në Strellc të Deçanit, që ndodhi sot pasdite.
Sipas policisë me datën 23.12.2015 ,në ora 16:15 është informuar nga qytetarët se në sheshin ”Ismet Ukaj “ të fshatit Strellc i Epërm komuna e Deçanit, ka të shtëna me armë zjarri, me ç’rast një fëmijë ishte qëlluar nga breshëritë e armës automatike AK 47 dhe të njëjtin e kishin dërguar për në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë për t’i ofruar ndihmën mjekësore.
Policia thotë se mjeku kujdestar rreth orës 16:37 ka konfirmuar se viktima fëmijë Y.M , i moshës 9 vjeçare kishte ndërruar jetë për shkak të plagëve nga arma e zjarrit.
“Falë bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Kosovës dhe pas një pune të shpejtë operativo – hetimore është arritur të identifikohet mjeti i tipit xhip “Frontera” me targa të regjistrimit në Kosovë si dhe personi i dyshuar i mundshëm , që kishte shkuar me ketë mjet në afërsi të lokalit “Doneri Jon” dhe kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të këtij lokali, në bendin e të cilit kishte qenë ky fëmijë dhe disa persona tjerë”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Hetuesit Rajonal në bashkëpunim me njësitet policore kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin D.L., 19 vjeç dhe shtetas i Kosovës. Me urdhër të prokurorit shtetit është bastisur shtëpia e të dyshuarit dhe nga i njëjti është konfiskuar edhe arma automatike AK 47 cal.7.62×39 mm për të cilën dyshohet se është përdoruar gjatë kryerjes së veprës penale të vrasjes.
I dyshuar pasi është intervistuar, me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.