Gjashtë persona janë arrestuar nga aksioni “PENTA” i Policisë së Kosovës i kryer në bashkëpunim me autoritetet e Shqipërisë, të hënën rreth orës 22:00, në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Po ashtu, Policia e Kosovës ka njoftuar se drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, gjatë të njëjtit aksion ka identifikuar edhe një viktimë të trafikimit, raporton Gazeta Express.
Ky është njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Operacioni “PENTA” vë në pranga gjashtë të dyshuar dhe identifikon një viktimë të trafikimit
Prishtinë, 22 dhjetor 2015
Me datën 21 dhjetor 2015, në orën 21:50, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, e mbështetur edhe nga njësi tjera policore, ka realizuar operacionin policor të koduar “PENTA”, ku ka bërë kontrollimin e disa lokacioneve në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Me këtë rast është bërë arrestimi i gjashtë (6) personave të dyshuar, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kishin kryer veprat penale ‘trafikim me njerëz’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’.
Personat e arrestuar në këtë rast janë:
· Xh. G. lindur me 1976 m/sh/k
· Sh. H. lindur me 1990 m/sh/k
· A. H. lindur me 1981 m/sh/k
· M. G. lindur me 1985 m/sh/k
· A. G. lindur me 1972 m/sh/k
· L. L. lindur me 1982 f/sh/sh
Operacioni policor është realizuar në bashkëpunim edhe me autoritetet policore shqiptare, me ç’rast edhe është bërë identifikimi i një viktime të trafikimit, shtetase e Shqipërisë.
Gjatë këtij operacioni si prova materiale janë sekuestruar:
· një armë (revole) 8mm e gjetur në banesën e të dyshuarit të parë
· një DIVIAR –i kamerave të sigurimit të restorantit.
· fatura, dokumentacione të ndryshme, libra dhe fletore të shënimeve.
Të gjitha veprimet policore janë kryer nën autorizim të prokurorit, kurse të arrestuarve me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve, për të vazhduar me procedura të mëtejme.