Zyra për marrëdhënie me publikun e Policisë së Prishtinës ka publikuar sonte një “sqarim për publikun lidhur me informatat në disa mediume se dy aktivistë të Vetëvendosjes janë keqtrajtuar në stacionin e policisë. Lidhur me këtë, Policia thotë se ka ftuar Inspektoratin Policor që të zhvillojë hetime për veprimet e ndërmarra.
Në vazhdim, komunikata e plotë e Policisë lidhur me rastin:
“Referuar disa shkrimeve që janë publikuar pasditen e sotme në disa nga portalet informative lidhur me trajtimin e drejtë ose jo të dy personave të shoqëruar nga policia në stacionin policor nën dyshimin për veprën Sulm në Tentative, njoftojmë opinionin publik me sa vijon:
Dy të dyshuar janë ndaluar nga ana e policisë në orën 11:50 në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë, pasi që informacionet që posedonte policia bënin me dije se të njëjtit po përgatisnin një sulm ndaj eskortës së Kryeministrit.
Pas kontrollit të ushtruar nga policia te të njëjtit janë gjetur dhjetëra topa ( sfera) me ngjyrë që dyshohet të kenë qenë mjetet që do përdoreshin përgjatë veprimit sulmues të tyre.
Pas kryerjes së veprimeve të nevojshme policore lidhur me rastin të dyshuarit janë liruar nga policia.
Ndërkohë që procedimi I rasteve dhe ndërmarrja e veprimeve policore për të gjitha llojet e rasteve është paraparë konform ligjit të policisë si dhe ligjeve aktuale, dhe në të njejtën kohë edhe sjellja e policit është e paraparë me procedura të standardizuara të veprimit,
Policia e Kosovës ka marrë me seriozitet pohimet e nxjerra në disa nga portalet informative lidhur me trajtimin policor ndaj të dyshuarve në këtë rast.
Marrë për shkas këto pohime, Policia e Kosovës ka ftuar zyrtarisht Inspektoratin Policor që të hetoj veprimet e ndërmarra nga policia, si dhe të sqaroj rrethanat e trajtimit të të dyshuarve, për faktin se Policia e Kosovës është e përkushtuar që veprimet e zyrtarëve të saj të jenë me përpikëri në përputhje me procedurat e standardizuara si dhe ligjin e policisë.
Andaj edhe një herë sigurojmë publikun e gjerë se Policia e Kosovës ka për qëllim krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë, ruajtjen e cilësisë së jetës së qytetarit si dhe zbatimin e ligjit njëjtë për të gjithë pa cenuar për asnjë moment të drejtat dhe liritë themelore të individit”.