Deklarata e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, që Policia e Kosovës ka furnizuar opozitën me gaz lotsjellës për ta futur brenda në Kuvendin e Kosovës, ka bërë që Inspektorati Policor i Kosovës të grumbullojë materialet dhe të fillojë hetimet rreth këtij rasti.
Arbër Beka nga Inspektorati Policor i Kosovës, tha për Tribuna Channel se me vëmendje kanë përcjell ngjarjet e fundit në Kuvend dhe se janë duke pritur raportin nga Policia e Kosovës.
“Inspektorati Policor i Kosovës do të jetë në dispozicion të prokurorit kompetent për çdo kërkesë eventuale që ndërlidhet me fushëveprimin dhe autorizimet ligjore të IPK-së. Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar të grumbullojë materiale, si video incizime, fotografi, si dhe kemi qenë në kontakt edhe me Policinë e Kosovës”,ka thënë Beka.
Bekaj ka thënë se të gjitha materialet e grumbulluara, përfshirë edhe informatat, janë duke u analizuar nga një grup hetuesish dhe inspektorësh.