Me qëllim të informimit të qytetarëve dhe gjithë opinionit, ju informojmë se në pikë-kalimin kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë që lidh Republikën e Kosovës me atë të Serbisë, qarkullimi i automjeteve është duke u zhvilluar me një intensitet të shtuar në të dy drejtimet.
Departamenti i Policisë Kufitare informon se në pikë-kalimin kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë, kohë pas kohe po fillon të ketë krijim të kolonave dhe pritjeve disa minutëshe si në hyrje ashtu edhe në dalje të Republikës së Kosovës në të Serbisë.
Polica e Kosovës me qëllim të shmangies nga pritjes dhe krijimit të lehtësirave për mërgatën kosovare, i njofton bashkatdhetarët se pos këtyre dy pikave kufitare ata mund t’i përdorin për qarkullim edhe dy pikë-kalime tjera kufitare, pikë-kalimin kufitar të Mutivodës dhe pikë-kalimin kufitar të Muqibabës.
Të gjithë qytetarët të cilët dëshirojnë t’i shmangen pritjeve eventuale, mund t’i shfrytëzojnë edhe dy pikë-kalimet kufitare në Mutivodë dhe Muqibabë, pasi që procedurat e kalimit, duke përfshirë posedimin e dokumentacioneve të aplikueshme për kalimin kufitar janë krejtësisht të njëjta sikurse në pikë-kalimet kufitare në Merdare dhe Dheu i Bardhë.