Lajmet e fundit

Pozita, Opozita e Analistët: Viti 2015, vit i rëndë dhe me sfida

Arbesa Ibrahimi

Viti 2015, konkretisht zhvillimet politike përgjatë këtij viti, shihen në mënyra të ndryshme nga partitë politike dhe analistët politikë në Kosovë, ndonëse të gjitha palët, 2015-ën e konsiderojnë si një vit jo të lehtë për shtetin e Kosovës.

Pozita në njërën anë, mendon se përkundër gjërave jo të duhura, ka pasur edhe suksese gjatë këtij viti, veçmas nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa, nga ana tjetër, Opozita mendon ndryshe. Sipas saj, Qeveria nuk ka pasur ndonjë sukses të dukshëm, përkundrazi, siç janë shprehur përfaqësuesit e partive opozitare, ajo i ka sjellë vetëm dëme shtetit. Kurse, sa iu takon analistëve politikë, ata kanë vlerësuar se kjo periudhë kohore nuk ka pasur zhvillime të dukshme. Sipas tyre, gjatë vitit 2015 ka pasur dështime e veprime negative, ndonëse ata, nuk kanë hezituar t’i përmendin edhe disa të tjera, të cilat i kanë futur në kategorinë e pozitives.

Blerta Deliu- Kodra: MSA-ja, hap i rëndësishëm për Kosovën; veprimet e opozitës, të papranueshme

blerta-deliu-kodra-e-shokuar-komandant-euml-t-kan-euml-b-euml-r-euml-luft-euml-ccedil-lirimtare-dhe-jo-krime-t-euml-luft-euml-s_hd

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu- Kodra, vitin që po shkon e ka quajtur një vit të “sfidave”.

Sipas saj, gjatë këtij 365 ditëshi, ka pasur veprime të cilat e kanë dëmtuar imazhin e shtetit.

“Viti 2015 ishte vit i sfidave të shumta. Skena politike kosovare këtë vit u përball me veprime, të cilat nuk ishin të zakonshme, veprime të cilat dëmtuan rëndë demokracinë edhe ashtu të brishtëtë institucioneve të vendit, dëmtuan imazhin e një shteti të ri në arenën ndërkombëtare”. ka thënë ajo në një prononcim për Gazetën Blic.

Ndërsa më tutje, deputetja e Kuvendit, ka vlerësuar se një veprim i mirë për Kosovën, ka qenë nënshkrimi i MSA-së, përderisa veprimet e partive opozitare i ka quajtur si jo të pranueshme.

“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është hap i rëndësishëm për të ardhmen e qytetarëve të këtij vendi. Veprimet e fundit të opozitës janë të papranueshme, prandaj dua të besoj shumë se opozita do të kthehet në kuvend, bashkë me argumentet dhe pamjet e mujave të fundit të dhunës e gazit lotsjellës, të mos jenë pjesë e agjendës politike të opozitës”, ka deklaruar ajo.

Përkundër që deputetja e PDK-së nuk është pajtuar me veprimet e opozitës, ajo përpos Justina Pulës, epitetin e figurës pozitive për vitin 2015, ia ka vënë edhe deputetit opozitar nga Vetëvendosje, Ilir Dedës.

Albulena Haxhiu: Duhet ta heqim këtë Qeveri!

albulena-haxhiu

Por ndryshe nga Deliu- Kodra, lidhur me punën e qeverisë e çështje të tjera, mendon deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu. Ajo në një prononcim për Gazetën Blic, ka vlerësuar se viti që po e lëmë pas, nuk ka qenë aspak i lehtë për Kosovën.

“Së pari më duhet të them se sot, 16 vite pas luftës, në krye të institucioneve të vendit janë njerëz që e kanë humbur arsyen, kredibilitetin dhe njerëz të shantazhuar e të korruptuar. Së dyti, Qeveria e Mustafës ishte vazhdimësi e keqeverisjes së kaluar dhe natyrisht që viti 2015 ishte një vit jashtëzakonisht i vështirë për Republikën dhe qytetarët e Republikës, por edhe për ne si subjekt politik,” ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka thënë, se Qeveria aktuale nuk ka bërë asnjë veprim të mirë gjatë këtij viti, përkundrazi siç ajo është shprehur, Qeveria Mustafa do të kujtohet vetëm si një e atillë që e fali territorin e saj, që e baltosi Ushtrinë Çlirimtare e që arrestoi deputetët opozitarë.

Ndërkaq, si mossuksese të Qeverisë, ajo ka përmendur dështimin e Kosovës në UNESCO dhe mosliberlaizimin e vizave. Si rrjedhojë e këtyre, deputetja e VV-së ka ardhur në përfundim, se për ta fituar një shtet të fortë, duhet ta heqim Qeverinë aktuale.

Adem Salihaj: Ky vit po i lë trashëgimi të rëndë vitit 2016

adem-ssalihaj

Ndryshe nga deputetja Haxhiu, mendon deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, i cili ka thënë se qeveria aktuale ka pasur suksese dhe se suksesi kryesor sipas tij, ka qenë  nënshkrimi I MSA-së.

“Viti 2015 ishte një vazhdimësi e problemeve dhe sfidave të bartura nga viti 2014. Suksesi më i madh ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. Po ashtu, mund të thuhet se vendimi për Gjykatën Speciale ishte një sfide e rëndë, por e kaluar me sukses”, është shprehur ai.

Përkundër kësaj, Salihaj jo të gjitha veprimt e koalicionit qeverisës i konsideron të suksesshme. Përkundrazi, ai disa veprime të tij i ka quajtur si të dështuara.

“Por, dështimet për anëtarësim në UNESCO dhe për liberalizimin e vizave, si dhe dy marrëveshjet problematike, protestat e dhunshme e bllokada e kuvendit, i dhanë vulën kryesore dhe i lane nën hije të gjitha çështjet e tjera. Mund të thuhet se viti 2015 trashëgoi një situatë dhe pasojat e bllokadës gjashtë mujore, por që po ashtu, mund të thuhet se ky vit po i lë trashëgimi të rendë vitit 2016”, ka theksuar deputeti i LDK-së.

Muharrem Nitaj: Isa Mustafa, figura më negative për vitin 2015

muharrem

Ndërsa nga ana tjetër, zëdhënësi  i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka vlerësuar se Kosova nuk ka shënuar ndonjë përparim gjatë vitit që po shkon. Përkundrazi, sipas tij, gjatë kësaj kohe, qeveria ka nënshkruar marrëveshje në dëm të shtetit të Kosovës, dhe si rrjedhojë e kësaj siç ai është shprehur, ka pasur edhe veprime të “rënda” nga ana e opozitës.

“Kosova në vitin 2015 ka shënuar  kthim mbrapa në disa segmente. Për fat të keq, jetesa për njerëzit ka ardhur vetëm duke u rënduar dhe kjo ka bërë që njerëzit të nisen në rrugë pa krye për një jetë më të mirë. Pozita dhe opozita e kanë këputur çdo lloj bashkëpunimi dhe kjo ka bërë që situata të percipitojë. Ka ndodhur që qeveria aktuale t’i nënshkruajë dy marrëveshje, me të cilat është shkelur Kushtetuta e vendit”, është shprehur ai.

Përkundër këtyre, anëtari i Kryesisë së AAK-së, MSA-në e ka konsideruar si një lloj suksesi, përderisa si veprime aspak të mira, i ka klasifikuar bisedimet me Serbinë (mënyrën si janë zhvilluar ato), marrëveshjet që kjo qeveri ka arritur me shtetet fqinje, burgosjen e deputetëve të opozitës. Por krahas këtyre, në të njëjtën kategori, ai ka i futur edhe disa veprime të partive opozitare (gazin lotsjellës dhe hedhjen e vezëve), ndonëse i ka quajtur si të domosdoshme ato.

E krejt në fund, ai ka konsideruar, se figura më negative për vitin që po ecën, do të mbetet Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.

Zafir Berisha: E mira e vetme e 2015-ës, uniteti i Opozitës

zafir-berisha-remzi-ademaj-ra-n-euml-prit-euml-nga-bashk-euml-pun-euml-tor-euml-t-serb-euml_hd

Për dallim nga Nitaj, deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka vlerësuar se e mira e vetme që ka ndodhur gjatë këtij viti ka qenë bashkimi i partive opozitare, përderisa ka konsideruar se ky vit ka qenë mjaft i rëndë dhe i dështuar.

“Viti 2015 do të mbahet në mend si viti më i rëndë për qytetarët e Kosovës, vit ku në mënyrë të padrejtë është dashur t’i falen tokat tona Malit të Zi, vit i dështimit të liberalizimit të vizae dhe të pranimit të Kosoves në UNESCO, vit i stagnimit të zhvillimit ekonomik. Në këtë vit, veç një e mirë ka ndodhur: ajo ka qenë uniteti i opozitës dhe mbështetja qyteare, që permes rezistencave të tyre të ndryshme, ka bërë që faktori ndërkombëtar ta kuptojë se pronarë të këtij vendi nuk janë Hashimi e Isa, por qyetarët e këtij vendi, sepse këta deri tash, për vendin kanë folur dhe vendosur si “për bahçen e babës së tyre”, ka thënë Berisha për Gazetën Blic.

Deputeti i Kuvendit gjatë fundit të bisedës, si figura negative të vitit që po shkon, i ka veçuar Isa Mustafën, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Analistët: Dy marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, veprimet më të dëmshme për 2015-ën

As për analistët politikë, viti 2015 nuk ka qenë për t’u lavdëruar. Përkundrazi, ka qenë një vit, i cili nuk ka ofruar shpresa për qytetarët dhe nuk janë realizuar premtimet e Qeverisë aktuale. Sipas tyre, ndër veprimet më negative për vitin që po shkon, mbeten dy marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel: ajo për Asociacionin e Komunave Serbe dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi.

Donik Sallova: Figura politike pozitive e këtij viti, është figura abstrakte e opozitarit

Donik-Sallova

Për analistin dhe politologun Donik Sallova, viti 2015  është përballur me disa probleme, duke filluar nga qeverisja jo e duhur, emigracioni, mosfunksionalizimi i institucioneve shtetërore e disa të tjera.

“Ky vit mund të konsiderohet si vit i “qeverisjes gri”, një qeverisje totalisht impotente ndaj nevojave të vendit për reforma rrënjësore dhe të gjithanshme. Një qeverisje pa ndonjë nuancë shpresëdhënëse për qytetarët. Ky vit i parë i kësaj qeverie u shoqërua me shkallën më të lartë të emigracionit që Kosova ka njohur që nga pas lufta. Tre muajt e fundit të këtij vitit (politik) kanë qenë muaj të bllokadës së paprecedentë politike, si kundërshtim i marrëveshjeve që ka bërë  qeveria”, ka thënë Sallova për Gazetën Blic.

E nga ana tjetër, ai ka vlerësuar, se Opozita ka luajtur një rol mjaft pozitiv përgjatë këtij 365 ditëshi, ngase siç ai është shprehur, kundërshtimi i partive opozitare, qe ai që shtyri deri tek antikushtetutshmëria e Marrëveshjes së Asociacionit.

“Figura politike pozitive e këtij viti është figura abstrakte e opozitarit. Pavarësisht kritikave të shumta ndaj sjelljes së paprecedentë të opozitës në Kuvend, është pikërisht ky kundërshtim i cili nxori në pah antikushtetutshmërinë e Marrëveshjes për Asociacionin, si dhe me shumë gjasë do ta korrigjojë marrëveshjen për Demarkacionin. Me një opozitë të pavëmendshme dhe “demokratike”, ndoshta çështja e Asociacionit dhe Demarkacionit, tashmë do të ishin harruar!”, ka shtuar ai.

Për politologun Donik Sallova, si veprimet më të dëmshme për 2015-ën,  kanë qenë dy marrëveshjet e nënshkruara me shtetet fqinje në Bruksel, përderisa si aso pozitive, ai ka shtuar se mund të quhen nënshkrimi i MSA-së, gjysmëkonfirmimi për çështjen e vizave, si dhe  dakordimi i qeverisë me amerikanët, për të investuar në termocentralin “Kosova e Re”.

Ndërsa, si figura më e goditur dhe e kritikuar për vitin 2015 sipas Sallovës, mbetet ajo e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Xhemal Ahmeti: Ky vit ishte i dështakëve në politikë, kështu do hyjë në histori

Jon-Leka

Sa i takon opozitës, ndryshe nga Sallova është deklaruar analisti politik, Xhemal Ahmeti. Sipas tij, gjatë këtij viti, partitë opozitare nuk u morën me problemet kyçe të shoqërisë, por me çështje të tjera.

“Opozita sikur qëllimisht kapej më shumë për kauza e kërkesa më pak kapitale për shoqërinë kosovare, sesa të ngulte këmbë në esencën e bllokadave, si: papunësia, varfëria, moszhvillimi ekonomik. Mirëpo, mjetet e veprimit që zgjodhi opozita e degraduan atë në dy dimensione: humbi autoritetin brenda dhe pak kush do t’ia besojë votën për qeverisje”, ka vlerësuar ai.

Përpos kësaj, Ahmeti ka shtuar se as Qeveria nuk ka bërë diçka të mirë për qytetarët, pasi siç ka thënë ai, koalicioni qeverisës nga njëra anë nuk i ka realizuar premtimet e dhëna, e nga ana tjetër ka bërë një dialog me Serbinë, të cilin analisti politik, e ka quajtur të imponuar.

“Shumica e zotimeve që u bënë nga klasa politike nuk u realizuan. Nuk ndodhën as punësimet, as vizat e as shumëçka tjetër që partitë dhe qeveritë i premtuan. Qeveria zhvilloi një dialog të imponuar sheshazi nga Beogradi dhe nuk arriti as minimal të jetësojë parimin e reciprocitetit jo vetëm në temat teknike si targat, kodi telefonik, por aty ku më së shumti është nevoja: në ndërrimin e kursit politik serb karshi ekzistencës së shtetit të Kosovës. Nuk bëhet dialog me një shtet që aq haptas të krahason me ISIS – n”, ka deklaruar Ahmeti.

Andaj, sipas tij, ky ka qenë një vit i dështakëve.

“Ky vit ishte i dështakëve në politikë, kështu do hyjë në histori”, ka nënvizuar Ahmeti.

Krejt në fund, Xhemal Ahmeti, ka theksuar se “milionerët e rinj” (politikë) nuk janë vetëm të pozitës, por edhe të partive opozitare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.