Hashim Thaçi ka dhënë betimin të enjten si President Shteti, në një kohë kur autoriteti i kontestohet gjerësisht brenda vendit dhe kur, mbi të, mbeten të pazbardhura një mal akuzash që mbajnë vulën e Këshillit të Evropës.
Në majë të pushtetit, mbërriti pas gjarpërimit prej rreth 17 vjetësh në politikë, shkruan sot Koha Ditore.
Thaçi ka ardhur President vetëm një vit pasi i gjithë spektri politik shqiptar e leçiti dhe bëri përpjekje prej gjashtë muajsh që ta linte në opozitë. Pas zgjedhjeve të fundit nacionale, asnjë nga subjektet politike nuk donte të bënte koalicion me të.
Dhe, tek pasi Gjykata Kushtetuese ia njohu partisë së tij të drejtën për të propozuar titullarët e legjislativit dhe ekzekutivit, LDK-ja iu bashkua në koalicion, marrëveshja me të cilën nuk ia përmbushi synimin për ta drejtuar Qeverinë edhe për një mandat, por i dha garanci për ta zgjedhur president.