Në Kosovë po vazhdon kriza politike e filluar tash e pesë muaj më parë kur partitë opozitare filluan bllokimin e punës së parlamentit. Partitë opozitare thonë se nuk do të heqin dorë nga bllokimi i parlamentit derisa qeveria të jap dorëheqje ose të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Parlamenti i Kosovës tashmë ka përfunduar pushimin e dimëror, dhe pritet që të thërras seancën e parë, në një kohë kur Kosova pritet të përballet edhe me dy sfida të mëdha siç është miratimi i marrëveshjes me qeverinë Holandeze për themelimin e Gjykatës së Posaçme në Hagë dhe zgjedhja e Presidentit të Kosovës.
Por, kjo e fundit shihet si një përparësi e punës së parlamentit pasi që afatet ligjore nuk japin edhe shumë kohë. Deri më tani për postin e presidentit pritet të jetë kandidat zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi njëherësh kryetari partisë Demokratike të Kosovës. Thaçi këtë post pritet ta marr pas marrëveshjes së koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilat po bashkë qeverisin për më shumë se një vit.
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, që mbikëqyr punën e parlamentit thotë se presidenti i ardhshëm duhet të zgjidhet deri më shtatë mars, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.
“Që është e lidhur edhe me fatin e kësaj legjislature, për shkak se kushtetuta parasheh se në rast të dështimit të parlamentit për të zgjedhur presidentin atëherë shpërndahet parlamenti dhe brenda 45 ditëve mbahen zgjedhjet e parakohshme”, tha ai për VOA.
Krasniqi thotë se një sfidë për zgjedhjen e presidentit mbetet edhe kundërshtimi i partive opozitare ndaj kandidaturës së Thaçi.
“Parashihet që situata do të mund të shkoj drejt një përshkallëzimi dhe kundërshtime më të ashpra në parlament prej partive opozitare. Për këto procese që janë të rëndësishme kërkohet që të ketë një konsensus gjithë partiak sepse pesë vite janë goxha të mëdha dhe kërkohet një figurë që do të mund të përfaqësonte unitetin e qytetarëve”, tha Krasniqi.
Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për studimin e politikave, Naim Rashiti thotë se problem kryesor në Kosovë është klima politike, lufta e pa kompromis ndërmjet qeverisë e opozitës dhe mungesa e vullnetit politik për të arritur një marrëveshje. Ai thotë se procesi i zgjidhjes së presidentit të vendit nuk do të jetë i lehtë.
“Opozita mendon se përmes pengimit të këtij votimi apo njollosjes së këtij votimi ta dëmtoj dhe rrëzoj qeverinë, dhe në anën tjetër kryeministri si bartës I këtij koalicioni nuk ka bërë mjaftueshëm që të krijojë një situatë të volitshëm për votimin demokratik për president. Situata nuk duket aspak premtuese për votim të lirshëm e demokratik dhe të qetë, për simbolikën demokratike që jep votimi për një president që duhet të ketë dhe mbetet çështje e koalicionit se si do t’ia bëjnë dhe në çfarë forme do të sigurojnë një klimë përshtatshme politike për votim”, tha Rashiti.
Një sfidë e madhe për zgjedhjen e presidentit të Kosovës sipas analistëve mbetet edhe gjykata e Posaçme për krime lufte që do të trajtojë pretendimet e ngritura nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dick Marty. Vet kandidati për president Thaçi është përmendur në këtë raport dhe sipas analistëve kjo mbetet shqetësuese.
“Natyrisht se nuk është e mirë që presidenti të arrestohet apo dorëzohet, nuk e besoj që do të ndodhte, por megjithatë do të duhej të jetë vlerësim politik i vet kandidatit për president dhe skenës politike dhe partisë të cilën e udhëheq zoti Thaçi. Natyrisht që gjykata do të prek një numër personalitetesh të Partisë Demokratike, por duket që ata me një pjekuri të lartë e kanë pranuar këtë realitet të ri të dhimbshëm për ta”, tha Rashiti.
“Lidhjet të cilat janë bërë ose pretenduar në të kaluarën se një president nuk do të mund të gjykohej nga gjykata e posaçme nuk qëndrojnë për shkak se imuniteti i presidentit nuk vlen për rastet të cilat janë jashtë fushë veprimtarisë sepse ka vetëm imunitet funksional. Por, natyrisht do të ishte një dëmtim i vetë shtetit të Kosovës nëse presidenti do të gjykohej nga një gjykatë e tillë”, tha Krasniqi.
Ditë më parë, qeveria holandeze njoftoi se selia e Gjykatës së Posaçme do të jetë në Hagë. Gjykata do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999 – 2000 të ngritura ndaj pjesëtareve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vitin e kaluar, qeveria e Holandës dhe e Kosovës ranë dakord që selia e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë të jetë në Holandë. Kjo marrëveshje tash kërkon miratimin nga parlamentet e dyja vendeve.
Autoritetet në Kosovë kanë shprehur gatishmërinë për të përmbushur të gjitha obligimet që dalin për themelimin e kësaj gjykate.koha