Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka asnjë koment për draft-propozimin pesë pikësh për dalje nga kriza të përpiluar nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda.
Propozimi parasheh edhe hetim parlamentar për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si dhe zgjidhje të qëndrueshme institucionale për Asociacionin e Komunave Serbe.
Nënshkrimi potencial i kësaj marrëveshje nga liderët politik në Kosovë do të duhej të ndodhte, siç e parasheh draft-propozimi, nën mbikëqyrjen e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Kjo Marrëveshje nënshkruhet nën mbikëqyrjen e Presidentes së Kosovës, në ushtrim të rolit të saj si faktor i unitetit politik në vend”, thuhet në pikën e katërt të draft-marrëveshjes.
Por këshilltarja e presidentes Jahjaga, Garentina Kraja, ka thënë për Klan Kosovën se e para e vendit nuk ka ende një koment për propozimin nga Osmani e Deda.
“Presidentja nuk ka koment”, ka thënë Kraja në prononcimin e saj të shkurtër.
Përpos heshtjes së Presidentes, të heshtur kanë qëndruar edhe ata që u është propozuar marrëveshja.
As dy liderët e koalicionit qeverisës, kryeministri Isa Mustafa e zëvendësi i tij Hashim Thaçi, e as udhëheqësit e Opozitës, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limja nuk kanë dhënë mendimet e tyre për propozimin që mëton ta nxjerr vendin nga kriza.