Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga këtë javë pritet ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, thonë burime të Gazetës Express.
Shefja e Shtetit po përpiqet ta zgjidh situatën e krijuar në Parlamentin e Kosovës mes Qeverisë dhe Opozitës, duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese një interpretim për marrëveshjet e arritura në Bruksel mes dy kryeministrave.
Opozita është e bindur se më këtë marrëveshje është shkelur Kushtetuta, dhe për këtë ka bllokuar fizikisht Parlamentin e Kosovës. Qeveria, ndërkaq, mban një qëndrim krejtësisht tjetër; sipas tyre marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën dhe plotësisht në të mirë të Kosovës.
Presidentja takoi palët javën e kaluar, kurse këtë javë, sipas burimeve të Gazetës Express, do ta dërgojë lëndën në Gjykatë.
“Presidentja është e bindur se Gjykata Kushtetuese, përmes interpretimit të marrëveshjes, do ta krijojë një ambient tjetër politik; më të përshtatshëm për dialog mes dy palëve”, tha një burim i Express, afër Presidentes së Republikës.
Pavarësisht kësaj, Opozita nuk është shumë entuziaste me ofertën e Presidentes. Sipas tyre, fillimisht duhet që Kryeministri Mustafa të heq nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë, e tek më pas të deklarohet Gjykata Kushtetuese.