Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga pret sot një delegacion të zyrtarëve të lartë të agjencisë qeveritare amerikane, Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC). Këtë e ka bërë të ditur vet presidentja, përmes një shkrimi në llogarinë e saj Facebook. Jahjaga ka thënë se vizita e tyre shënon fillimin e programit për rritje ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Tutje, Jahjaga ka thënë se vizita e delegacionit vjen pas vendimit të MCC në dhjetor të vitit të kaluar, për të përzgjedhur Kosovën si përfituese e programit Kompakt të ndihmës në bazë të përmbushjes së shumë indikatorëve, dhe përparimit të theksuar në avancimin e të drejtave demokratike.
Ky është shkrimi i plotë i presidentes:
“Nesër mirëpresim në Kosovë një delegacion të zyrtarëve të lartë të agjencisë qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC). Vizita e tyre shënon fillimin e programit për rritje ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Institucionet e Kosovës tashmë i kanë filluar përgatitjet për fillimin e këtij procesi që pritet të reformojë sektorë të rëndësishëm në Kosovë në pesë vitet e ardhshme. Këta sektorë do të përzgjidhen së bashku nga MCC dhe institucionet e Kosovës në bazë të potencialit të tyre për të nxit ur zhvillimin ekonomik dhe për të zbutur varfërinë. Vizita e delegacionit vjen pas vendimit të MCC në dhjetor të vitit të kaluar për ta përzgjedhur Kosovën si përfituese të programit Kompakt të ndihmës në bazë të përmbushjes së shumicës së indikatorëve dhe përparimit të theksuar në avancimin e të drejtave demokratike, lirive ekonomike dhe indikatorëve socialë”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.
(Kosova Sot)